Delegacioni i Policisë së Kosovës, viziton institucionet e zbatimit të ligjit në SHBA

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj është duke qëndruar për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në kuadër të kësaj vizite, ai është takuar me zyrtarë nga institucionet e zbatimit të ligjit në SHBA, si Byroja Kundër Terrorizmit, Agjencioni për Siguri të Diplomatëve – Diplomat Security, Agjencioni kundër Narkotikëve DEA, CT Bureau, Byroja Kundër Terrorizmit.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës është bërë e ditur se Qalaj gjithashtu ka vizituar Qendrën për Ekzaminim të Terrorizmit – Terrorist Screening Center, Byronë Federale të Hetimeve, Akademinë e FBI, dhe Akademinë e DEA.

“Gjatë këtyre takimeve është diskutuar për luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm, radikalizmit, luftën kundër narkotikëve, krimit të organizuar si dhe kërcënimeve për rendin dhe sigurinë në përgjithësi. Poashtu puna që është bërë në kthimin e qytetarëve të Kosovës të cilët kanë qenë në zonat  e luftës, ndjekja dhe hetimi i rasteve të tilla si dhe procesi i ri integrimit të tyre në Kosovë. Ishte qëndrim i përbashkët, se ky angazhim dhe përkushtim do të vazhdojë edhe më tutje në kuadër të përpjekjeve bilaterale dhe angazhimit global.”, është thënë në njoftim.

Në takimin në selinë qendrore të Agjencionit Kundër Narkotikëve në SHBA-DEA, është diskutuar për zhvillimet aktuale në këtë fushë, si dhe kërcënimet dhe rreziqet globale nga trafikimi i narkotikëve.

Delegacioni kosovar nga radhët e Policisë së Kosovës, gjithashtu ka realizuar një vizitë në selinë e Qendrës për Ekzaminim të Terrorizmit, ku u diskutuan mundësitë dhe kapacitetet reciproke për shkëmbim të informacioneve në kuadër të bashkëpunimit reciprok.

“Delegacioni Kosovar realizoi vizitë edhe në Selinë Qendrore të Byros Federale të Hetimeve FBI. Policia e Kosovës është mirënjohëse ndaj FBI-së për përkrahjen në ndërtimin e kapaciteteve të PK-së në aspektin e Burimeve Njerëzore por edhe në fushën e pajisjeve teknike dhe teknologjike. Poashtu janë diskutuar format e bashkëpunimit në fushën e krimit trans-kufitar, krimit të organizuar, terrorizmit e në veçanti krimit kibernetikë.”, thuhet tutje.

Në ceremoninë e diplomimit në programin e Studimeve Ndërkombëtare të Sigurisë, mes studentëve ishte edhe një zyrtarë i Policisë së Kosës, nënkolonel Luan Keka, i cili aktualisht është edhe Drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizimit.

Mes tjerash është vizituar edhe Akademia e Trajnimit në dy institucione prestigjioze në fushën e zbatimit të ligjit, siç janë ajo e FBI-së dhe DEA-së.