Delegacioni Gjerman Ofron Mbështetje për MTI-në

Një delegacion gjerman i ka dhënë garanci ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, se shteti gjerman do të jetë partner i fuqishëm i Kosovës në zhvillimin e politikave ekonomike dhe do t’u ofrojë mbështetjeje për ekspertë në fushat që ka nevojë MTI-ja.

Hasani ka pritur sot në takim Helge Tolksdorf, drejtor për zgjerimin e BE-së, Evropën Juglindore dhe Turqinë në Ministrinë Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë, Anja Meyer nga Ministria Federale për Çështje Ekonomike dhe Energjetike dhe zëvendës ambasadori Gjerman në Kosovë, Jan Axel Voss.

Hasani gjatë këtij takimi tha se prioritetete të ministrisë janë harmonizimi i legjislacionit të plotë me MSA-në, përmbushjet e obligimeve qe derivojnë nga MSA,  jetësimin e ligjit për Investime Strategjike dhe prioritetet e Kosovës në CEFTA.

“Ne prej marrjen së mandatit, që po bëhen gati 6 muaj, jemi munduar që sa i përket legjislacionit, t’i shtyjmë disa ligje që nuk kanë qenë në harmoni të plotë me MSA-në. Kemi punuar shumë në këtë drejtim dhe janë diku dhjetë ligje që janë proceduar në qeveri”, u shpreh Hasani.

Sipas tij, MTI do ti përkrah ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe promovimin e investimeve.

Hasani temë të diskutimit e kishte edhe raportin e të bërit biznes që Kosova është renditur në vendin e 40.

“Jemi duke hartuar politika të turizmit, forcimin e  mbrojtjes së të drejtave të pronësisë, infrastrukturën e cilësisë në përgjithësi, dhe krijimin e ambientit të bërit biznes, që Kosova është renditur mjaft mirë vitin e kaluar në vendin e 40 në të bërit biznes, sipas raportit të Bankës Botërore. Po presim që gjatë këtij viti të kemi progres prapë, me miratimin e Ligjit për Shoqëri Tregtare. I kemi dhënë mbështetje shumë fondit për garanci kreditore. Mbështetës i këtij fondi është edhe Banka Gjermane për Zhvillim dhe Rindërtim”, tha Hasani.

Helge Tolksdorf, drejtor për zgjerimin e BE-së, Evropën Juglindore dhe Turqinë në Ministrinë Federale për Punë të Jashtme të Gjermanisë tha se Ballkani Perëndimor është në vazhdimësi prioritet për shtetin gjerman.

“Ballkani Perëndimor do të jetë në vazhdimësi një pikë e rëndësishme e politikës së jashtme gjermane. Lajm i mirë është që prej pavarësisë së Kosovës kemi dyfishuar këmbimin tregtar bilateral, dhe Kosova ka një potencial të madh që mund të shfrytëzohet”, tha Tolksdorf.

Tolksdorf  e përgëzoi dhe inkurajoi ministrin Hasani për harmonizimin e legjislacionit me BE dhe përmbushjet e kritereve qe derivojnë nga MSA-ja.