Deçanasit: Nuk Kemi Toka për Manastirin!

Protesta nisi në mesditë, ndërsa protestuesit mbanin mbishkrimin “Gjykata Kushtetuese Shkeli Drejtësinë” dhe parulla tjera.

Gjykata Kushtetuese vendimin për 24 hektarët e publikoi më 21 maj të këtij viti.

Këta hektarë të tokës u takonin ndërmarrjeve “Apiko” e “Iliria”, por i ishin dhuruar Manastirit të Deçanit me një marrëveshje të Qeverisë së Serbisë dhe këtij manastiri në vitin 1997.

Në protestë, kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj i bëri thirrje kryemurgut Sava Janjiq që të heqë dorë nga kjo dhuratë.

“Këtu ndodh politika, ne nuk jemi që këta me ndërhy edhe me prek interesat e komunës se Deçanit me këtë vendim absurd. Unë i bëj thirrje publike  Sava Janiq që të heq dorë nga dhurata e Millosheviqit,” tha Selmanaj.

Deputetja Time Kadriaj tha për KALLXO.com se Deçani nuk ka toka për të falur.

“Me këto protesta ne po shprehim pakënaqësinë e qytetarëve, ky është një lloj presioni që po i bëjmë gjykatës, sepse ky vendim do të ndikojë në ekonominë e Deçanit. Ne nuk kemi toka me falë dhe do të vazhdojmë me protesta deri sa te anulohet ky veprim i padrejtë,” tha Kadriaj.

Kryetari Selmanaj tha se manastiri kurrë nuk do të njihet si pronar i kësaj toke.

“Ajo që dua me thënë është që kurrë manastiri s’ka me mund me u bë pronar i këtyre pronave, unë si kryetar i komunës as nuk e pranoj, as nuk e zbatoj, sepse kjo është në kundërshtim me ligjin dhe drejtësinë. Ne nuk kemi dëshirë me ardhë situata jo të mira në Deçan, po nëse vazhdohet kështu unë si kryetar nuk ka logjikë me qenë kryetar, prandaj ne do ta themi fjalën tonë,” tha ai.

Edhe njëri nga protestuesit foli ngjashëm si kryetari Selmanaj.

“Kurrë nuk kanë qenë prona te kishës, kanë qenë prona tona, gjatë viteve 90-ta i kanë qit mbi veti, sepse gjithmonë kanë qenë tonat. Ne protestat nuk do t’i ndalojmë deri ne fund. Mendojmë që do t’i arrijmë qëllimet tona me protesta,” tha ky protestues për KALLXO.com.

Deçanasit protestuan kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese edhe më 26 maj.

http://kallxo.com/decanasit-kundershtojne-vendimin-e-kushtetueses/