Botohet libri historiografik për shqiptarët sipas arkivave britanike

Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë ka botuar kohë më parë libri historiografik “Shqiptarët gjatë Luftës së Dytë Botërore – Arkivat Kombëtarë Britanikë”  përgatitur nga studiuesit prof. dr. Hamit Kaba dhe prof. asoc. dr. Sabit Syla.

Dokumentacioni i përfshirë në këtë vëllim është hulumtuar në Arkivat Kombëtarë Britanikë vitet e fundit dhe përmban dokumente që i takojnë harkut kohor nëntor 1940 – maj 1945.

Përmes këtij botimi autorët sjellin mjaft të dhëna rreth pozicionimit të shqiptarëve në kuadër të Luftës së Dytë Botërore; diskutimet mbi të ardhmen e Shqipërisë si shtet i pavarur e sovran, apo në kuadër të një federate/konfederate ballkanike; çështja e kufirin shqiptaro-grek dhe shqiptaro-jugosllav; çështja e të ardhmes së shqiptarëve të Kosovës dhe viseve Lindore, të cilët ishin bashkuar me Shqipërinë londineze etj.

Andaj, për historiografinë shqiptare paraqet një kontribut të çmuar për të ndriçuar shumë aspekte mbi veprimet politike, diplomatike, të lëvizjes së rezistencës antifashiste shqiptare dhe raportet e saj me lëvizjet e rezistencës së vendeve fqinje si dhe të rolit që kanë pasur Fuqitë Aleate në Shqipëri, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore.

Përmes një njoftimim Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë njofton se dokumentet e ofruara janë korrespodenca ndërmjet Misionit Ushtarak Britanik në Shqipëri dhe Shtabit të Forcave Aleate në Itali, ndërmjet këtij të fundit dhe Ministrisë së Jashtme britanike.

Pastaj studime të FO dhe Institutit Mbretëror të Studimeve Ndërkombëtare mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe territoreve që iu bashkuan asaj në vitin 1941, korrespodenca ndërmjet BLO-ve dhe OSS-Office of Strategic Services – Zyra e Shërbimeve Strategjike e Shteteve të Bashkuara, por ka edhe shumë direktiva, instruksione vështrime dhe analiza që FO ua ka përcjellë përfaqësuesve të vet për Ballkanin e Shqipërinë.

Ndër të tjerash ky botim ofron mjaft të dhëna për zhvillimet dhe fokusin  e lartë dhe angazhimet konkrete të politikës dhe diplomacisë britanike, përmes misionit ushtarak, për të përcjellë dhe ndikuar lëvizjet politike dhe të rezistencës antifashistë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, sidomos gjendjes e territoreve shqiptare nën okupimin e ushtrisë greke, pas shtyrjes së ushtrisë italiane, veçanërisht në Korçë e në Gjirokastër në nëntor-dhjetor 1940.