Çka e ushqen jostabilitetin politik në Preshevë?

Mosmarrëveshjet ndërmjet partive shqiptare në Preshevë, tash e disa vite, krijojnë jostabilitet të pushtetit lokal atje.

Kjo komunë në jug të Serbisë, e banuar me shumicë shqiptare, gjendet para mundësisë për të shkuar sërish në zgjedhje të parakohshme – të katërtat me radhë që nga viti 2016 – pasi kuvendi i saj dështoi këtë javë të mbante një seancë të domosdoshme për të ruajtur aspektin ligjor të funksionimit të tij.

Duke komentuar dështimin e kësaj seance, kryetari i Kuvendit Komunal të Preshevës, Sami Salihu, tha shkurt për Radion Evropa e Lirë se komuna mund të shkojë në zgjedhje.

“Është një vakum, i cili nëse nuk tejkalohet, [komuna] mund të shkojë në zgjedhje”, tha ai.

Zgjedhjet e fundit të parakohshme në Preshevë u mbajtën në mars të vitit 2022.

Që nga viti 2016, Alternativa për Ndryshim e kryetarit aktual, Shqiprim Arifi, dhe Partia për Veprim Demokratik e Shaip Kamberit, aktualisht deputet i vetëm në Kuvendin e Serbisë, disa herë ia kanë marrë qeverisjen njëra-tjetrës, ndërsa dy herë – më 2017 dhe 2020 – atë e ka caktuar Qeveria e Serbisë, përmes organit të përkohshëm.

“Kjo është më shumë simptomë e stërkeqjes dhe degradimit të partive politike shqiptare në Luginë të Preshevës. Jo vetëm se nuk e kanë një bashkëpunim për interesa kolektive, por iu mungon një strategji e përbashkët për mënyrën se si do ta përmirësonin pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, thotë Belgzim Kamberi, nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, për Radion Evropa e Lirë.

Si u hap rruga drejt zgjedhjeve të mundshme në Preshevë?

Kuvendi Komunal i Preshevës ka 38 këshilltarë komunalë, 36 nga të cilët janë nga partitë shqiptare në pushtet dhe opozitë, si dhe dy nga Lista Serbe – njëri nga Partia Përparimtare Serbe dhe një tjetër nga Partia Socialiste Serbe.

Ligji për vetëqeverisje lokale në Serbi përcakton se një kuvend komunal duhet ta mbajë një seancë – të paktën një herë në tre muaj.

Seanca e fundit e Kuvendit Komunal të Preshevës është mbajtur më 24 korrik të këtij viti.

Seanca e 23 tetorit dështoi, për shkak të mungesës së numrave të këshilltarëve komunalë nga partitë që kanë shumicën në Kuvendin Komunal të Preshevës, si dhe mosmarrëveshjeve me partitë opozitare, që ta përmbushin numrin e domosdoshëm prej 20 këshilltarësh për kuorum.

Dy deputetët e Listës Serbe, si pjesë e pushtetit në komunë, nuk morën pjesë në seancë.

Partitë në pushtet – Alternativa për Ndryshim e kryetarit aktual, Shqiprim Arifi, dhe Lëvizja për Reforma e Sami Salihut – kanë 19 këshilltarë komunalë.

Në mungesë të deputetëve serbë, ata nuk mundën të krijonin kuorumin për mbajtjen e seancës.

Partia për Veprim Demokratik (PVD) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) – të dyja në opozitë – kanë 17 këshilltarë.

Almin Shaqiri, nënkryetar i Alternativës për Ndryshim, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo parti u është drejtuar subjekteve opozitare për ta mbajtur seancën, por nuk ka hasur në mirëkuptim.

“Ne i ftuam shefat e partive politike që janë në Kuvend, pra edhe të PVD-së, edhe të PDSH-së. Ata nuk pranuan që të vijnë. Një prej asamblistëve shqiptarë po të vinte dhe të ishte prezent në seancë, nuk do të shkonte në këtë situatë as Presheva, as kuvendi i saj”, thotë Shaqiri.

Por, Ragmi Mustafi, nënkryetar i Partisë për Veprim Demokratik, thotë se partitë në pushtet kanë pasur situatë të ngjashme edhe në korrik të këtij viti, kur kuorumin e Kuvendit ua kanë përmbushur deputetët e Listës Serbe.

“Partitë në pushtet nuk e kanë asnjë kredi të vetme për t’i ftuar partitë tjera që kanë qenë deri më tash në opozitë, për të mirëmbajtur apo për të arritur një dakordim, sa i përket qeverisjes së Komunës së Preshevës”, thotë Mustafi.

Pushteti dhe opozita, në vazhdimësi, kanë shkëmbyer akuza për nënshtrim ndaj partisë në pushtet në Serbi, Partisë Progresive Serbe (SNS), dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Jo rrallë, përplasje verbale ka pasur ndërmjet kryetarit aktual të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, dhe ish-kryetares së kësaj komune, Ardita Sinani, nga Partia për Veprim Demokratik, aktualisht këshilltare politike e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale të Serbisë, në rastet kur kuvendi komunal nuk mban mbledhje për tre muaj, atëherë Kuvendi shpërndahet dhe për pasojë bie edhe kryetari i komunës.

Në këtë rast, deri në mbajtjen e zgjedhjeve, qeverisjen e komunës e bën organi i përkohshëm, i cili përbëhet nga anëtarët e partive politike, sipas fuqisë përfaqësuese që kanë pasur në zgjedhjet paraprake lokale.

Zgjedhjet e parakohshme pasojnë me vendim të presidentit të Serbisë.

“Hileja” e zgjedhjeve

Serbia tashmë pritet të hyjë në një cikël të ri zgjedhor – për zgjedhjet parlamentare dhe për shumicën e pushteteve komunale.

Në një numër të madh të komunave në Serbi, ku pushtetin e ka Partia Progresive Serbe, kryetarët kanë dhënë dorëheqje pas paralajmërimeve nga autoritetet serbe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për muajin dhjetor të këtij viti.

Njohësi i zhvillimeve politike në Luginë të Preshevës, Belgzim Kamberi, shpreh mendimin se në këtë pikë përputhet edhe mungesa e dy këshilltarëve të Listës Serbe në Kuvendin Komunal të Preshevës.

Mosprania e tyre në seancën e Kuvendit Komunal të Preshevës më 23 tetor e minoi përpjekjen e partnerëve të tyre qeverisës nga partitë shqiptare për mbajtjen e seancës, si dhe krijoi parakushtet për të shkuar drejt zgjedhjeve të parakohshme.

“Janë dhjetëra komuna nëpër Serbi ku SNS-ja e Vuçiqit ka ndikuar që të shpërbëhen pushtetet lokale për t’i çuar në zgjedhje. Presheva është gjithashtu pjesë e kësaj, duke pasur parasysh që ishin asamblistët e partisë së Vuçiqit dhe të [Ivica] Daçiqit, [Partisë Socialiste të Serbisë], ata që e përcaktonin shumicën në Preshevë”, thotë Kamberi.

Por, kjo situatë, sipas tij, nuk i shfajëson partitë politike shqiptare në Preshevë, të cilat, siç thotë, kanë degraduar me përplasjet e tyre.

Ai thotë se këtë degradim, jo rrallë, e kanë shfrytëzuar dhe e shfrytëzojnë “influencat e jashtme politike”.

“Natyrisht që, së pari, është Beogradi zyrtar, i cili, duke e ndërprerë procesin e integrimit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës – të nisur më 2001 – ai ka ndërtuar realisht vakum dhe ka ushqyer betejën e brendshme për pushtet lokal ndërmjet partive shqiptare. Pra, moszbatimi i marrëveshjeve për integrimin e shqiptarëve e ka ushqyer krizën e brendshme politike në Luginën e Preshevës”, thotë Kamberi.

Autoritetet e Serbisë kanë nënshkruar tri marrëveshje për integrimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në institucionet shtetërore të Serbisë, më 2001, 2009 dhe 2013.

Ato kanë pasur të bëjnë kryesisht me realizimin e të drejtave kolektive dhe integrimin e vazhdueshëm në institucione si policia, gjyqësori dhe arsimi.

Por, shqiptarët në Serbi që jetojnë kryesisht në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, i kanë akuzuar shpesh autoritetet qendrore serbe për shkelje të të drejtave të tyre, si pasivizim adresash, mungesë të teksteve shkollore e të tjera. REL