Bllokada Greke i Kushton Bullgarisë Mbi 10 Milionë Euro

Biznesi bullgar ka humbur më shumë se 10 milionë euro nga protestat e fermerëve grekë, të cilët kanë bllokuar kufijtë për tri javë, tha për BIRN-in të hënën Bashkimi Bullgar i Transportuesve Ndërkombëtar.

Kompanitë e transportit po planifikojnë të kërkojnë kompensim nga Greqia për humbjet financiare që kanë vuajtur si rezultat i bllokadave.

Ministri i Transportit Ivajlo Moskovski të hënën u ka premtuar shoferëve bullgarë mbështetje të plotë ligjore dhe logjistike, duke përfshirë procedurat ndaj fermerëve para gjykatave greke.

“Ne kemi pasur kontrata të anuluara [nga klientët] për tërë vitin. Në biznesin tonë, klientët vlerësojnë shpejtësinë më shumë se çmimi, kështu që ata i kanë  ridrejtuar dërgesat e tyre në tregjet e tjera”, tha Angel Trakov, President i Këshillit Ekzekutiv të Unionit të Transportuesve Ndërkombëtarë.

Më 9 shkurt, tensionet mes shoferëve bullgarë të kamionëve dhe protestuesve në pikën e kontrollit Kulata-Promachonas u përshkallëzuan kur katër kamionët bullgarë vozitën përgjatë  bllokadës greke. Pas kësaj, kamionët bullgarë organizuan një kundër-bllokadë të shkurtër kundër automjeteve që vijnë nga pala greke.

Yordan Arabadjiev, drejtori i sindikatës së transportuesve, i tha BIRN-it se ishte e vështirë për të vlerësuar humbjen totale për sektorin. Përveç dënimeve të shkaktuara nga dërgesat e vonuara, humbjet indirekte përfshijnë pagat e humbura, shpenzimet e udhëtimit, kontratat dhe  klientët e humbur.

“Ne nuk jemi të vetmit që vuajmë – bizneset e prodhuesit dhe importuesit janë prekur gjithashtu. E gjithë ekonomia është e dëmtuar “, shtoi Abadjiev.

Më 3 shkurt, Ministria e Jashtme bullgare I kërkoi Komisionit Evropian të ndërhyjë për të rivendosur lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në kufirin greko-bullgar.

Më vonë, më 12 shkurt, në bisedime me Presidentin e Komisionit, Jean-Claude Juncker, Kryeministri bullgar Bojko Borisov i kërkoi përsëri BE-së të marrë masa për të normalizuar  trafikun përmes korridorit të transportit.

Megjithatë, Komisioni tha se shtetet anëtare janë ato të obliguara të garantojnë që legjislacioni i BE-së është respektuar dhe se nuk mund të ndërhyjnë drejtpërdrejt, njoftoi Agjencia Bullgare Telegraph.

Zëvendës Kryeministrja bullgare, Meglena Kuneva, pritet të ngrejë çështjen në mbledhjen e rregullt të Këshillit të BE-së.