Bie numri i vjedhjeve në Lipjan

Policia ka treguar se ka rënie të incidenteve dhe veprave penale të raportuara në Komunën e Lipjanit, gjegjësisht në stacionin policor në Lipjan.

Zyra Rajonale e Policinë në Prishtinë, ka thënë për KALLXO.com se gjatë këtij viti incidentet dhe veprat penale të raportuara në polici në Lipjan kanë shënuar rënie për 16%.

“Në zonën e përgjegjësisë së Stacionit Policor në Lipjan në nëntë mujorin e parë të vitin 2017 kemi pasur gjithsej të raportuara 1069 raste, ku 735 kanë qenë vepra penale, ndërsa të tjerat incidente. Këtë vit kemi të raportuara gjithsej 895 raste dhe prej tyre 639 vepra penale dhe të tjerat incidente”, thuhet në përgjigjen e policisë.

300 nga gjithsej 639 veprat penale të shënuara në stacionin policor në Lipjan, kanë të bëjnë me vjedhje.

“Krahasuar me vitin 2017, në vitin 2018 kemi rënie të veprave penale kundër pasurisë”, thuhet tutje në përgjigjen e policisë.

Veprat penale të vjedhjeve në Lipjan kanë rënë për 30%, ndërsa për vjedhje të rënda në po të njëjtën komunë ka rënë për 43%.

Sipas policisë, veprat penale për armëmbajtje pa leje janë shtuar.

“Vepra penale  kundër armëve, kanë shënuar rritje dhe kjo falë angazhimit policor në luftimin e kësaj dukurie”, thotë PK.

Gjatë këtij viti sipas Stacionit Policor në Lipjan, ka pasur rënie edhe të veprave penale kundër ekonomisë për 50%.

“Megjithatë kemi shumë punë për të bërë. Vazhdimisht po e rrisim praninë tonë në përmbushje sa më të mirë të objektivave ligjore të PK-së me qellim që të ofrojmë shërbim sa më të mirë për qytetarët”, ka thënë policia.

https://kallxo.com/video-hajnat-filmohen-duke-vjedhur-marketin-ne-lipjan/