Besim Beqaj

Besim Beqaj largohet nga qeveria

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ia ka dorëzuar sot kryeministrit Ramush Haradinaj, dorëheqjen e tij një ditë pasi kryetari i partisë së tij, Kadri Veseli, vendosi t’i largojë nga pozitat partiake e institucionale personat nga PDK që kanë aktakuzë apo janë të dënuar nga gjykata.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, Beqaj, i cili është i akuzuar në rastin e përgjimeve ‘Pronto’, tha se është i bindur që drejtësia do ta faktojë “pafajësinë” e tij në akuzat e ngritura.

Por ai tha se vepra për të cilën është duke u gjykuar- shkelje e statusit të barabartë të qytetarëve të Republikës së Kosovës- “nuk ka asnjë element të veprës së korrupsionit”.

Ai tha se prokuroria ka aplikuar “drejtësi selektive” në këtë rast.

“Gjatë angazhimit tim politik, edhe privat edhe publik, jam udhëhequr nga dy parime themelore: zbatimi i ligjit dhe profesionalizmi”, tha Besim Beqaj.

“Do të vazhdoj të jem pjesë e PDK sepse kam kontribuuar gjatë në PDK”, tha Beqaj.