Bekim Çollaku i Bashkohet Ekipit të Presidentit Thaçi
Bekim Çollaku i ka dhënë fund punës së tij si ministër i Integrimit Evropian për t’iu bashkuar ekipit të Presidentit Hashim Thaçi si këshilltar.
Ai e ka konfirmuar largimin e tij nga qeveria sot në një konferencë për shtyp.
“Po shkoj në një institucion tjetër ku do të kem mundësi më të mëdha që të jap kontribut edhe në çështjen e integrimit. Do të jem një nga këshilltarët e Presidentit”, tha Çollaku.
Ai tha se po largohet nga detyra e ministrit me një “sukses evident” por e pranoi se nuk ka arritur atë që ka pritur.
“Nuk po e lë detyrën se nuk i kam përmbushur detyrat. Po e lë detyrën sepse më ka kapluar një dozë e zhgënjimit si pasojë e vonesës së Bashkimit Evropian”, u shpreh ai.
Edhe Kryeministri Mustafa, sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e tij, njoftoi se ka pranuar kërkesën e Bekim Çollakut për lirim nga detyra.
Mustafa i dëshiroi suksese ish-ministrit të Integrimit Evropian.
“Duke i uruar suksese në detyrat e reja, Kryeministri Mustafa, ka vlerësuar lart kontributin e ministrit Çollaku gjatë punës së tij,” thuhet në komunikatë.