Banorët e lagjes “Sofalia” dhurojnë gjak për të kujtuar dëbimin, vrasjet e vitit 1999 dhe ato të vitit 1944 – Foto: KALLXO.com

Banorët e ‘Sofalisë‘ Dhurojnë Gjak, Kujtojnë Dëbimin dhe të Vrarët

Banorët e lagjes “Sofalia” kanë vazhduar me traditën e dhurimit të gjakut më 28 mars, ngjarje me të cilën ata përkujtojnë dëbimin e tyre nga forcat serbe më 1999, vrasjen e mbi 10 banorëve të kësaj lagje në atë vit si dhe masakrën e vitit 1944, kur në të njëjtin vend, në “Taukbahçe”, janë ekzekutuar 74 veprimtarë të çështjes kombëtare.

Enver Redenica, koordinator i kësaj lagje të kryeqytetit dhe iniciator i këtij aksioni tha se ka kërkuar vendosjen e një pllake përkujtimore me emrat e viktimave të luftës së fundit dhe atyre të vitit 1944.

“Kërkesa është aprovuar nga Drejtoria e Shërbimeve Publike të Komunës por është refuzuar nga Ministria e Ambientit me arsyetimin se nuk bën të vendoset në parkun nacional”, tha ai.

Aksionit të dhurimit të gjakut iu bashkua edhe drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale i Komunës së Prishtinës, Arben Vitia.

Ai tha se ky është viti i tretë radhazi që është ndërmarrë një aksion i tillë.

Me organizimin e këtij aksioni dhe interesimin e qytetarëve u shpreh i kënaqur dhe Fadil Mahmuti, nga Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzion të Gjakut.

Ai bëri thirrje që qytetarët të dhurojnë gjak në mënyrë që të ketë sasi të mjaftueshme për personat në nevojë.

Mahmuti tregoi se nevojat e QKUK-së për gjak janë të mëdha. “Vetëm gjatë 24 orëve QKUK ka nevojë për më shumë se 150 doza të gjakut”, shtoi ai.

Ndërsa, Lindita Uka-Hamiti, banore e lagjes, njëherësh stomatologe me profesion, pasi dha gjak tha se dhurimi i gjakut përveç se është në të mirë të shëndetit të atij që jep edhe shpëton jetë.

Aksionit iu bashkua edhe banori tjetër i lagjes, Jeton Morina. Ai tregoi se ka grupin e gjakut “A negativ”, që është shumë i rrallë dhe se është në dispozicion të dhurojë gjak kurdo që është e nevojshme.

Redaktoi: Naser Sertolli