Dhurojnë Gjak, Nderojnë Viktimat e Luftës

Anëtarët e Këshillit të lagjeve “Sofali” dhe “Taukbahqe” të kryeqytetit organizuan sot aksion për dhurim të gjakut për të kujtuar kështu, në mënyrë simbolike, viktimat e këtyre lagjeve që u vranë nga forcat serbe më 28 mars të vitit 1999, si dhe 74 veprimtarët e çështjes kombëtare që u pushkatuan më 28 mars të vitit 1944.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës Arben Vitia tha se është viti i dytë që banorët e kësaj lagje marrin iniciativë për dhurim të gjakut, në kujtim të masakrës së 28 marsit të vitit 1999.

Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak, duke potencuar se dhurimi i gjakut ka rëndësi jetike.

Dhurimi i gjakut Sofali2

Ndërkaq, Enver Redenica, koordinator i lagjes “Sofalia” dhe iniciator i këtij aksioni, tha se tanimë ky aksion do të bëhet tradicional për banorët e këtyre lagjeve.

Redenica theksoi se duke dhuruar gjak për ata që kanë nevojë, kujtojmë ata që më nuk janë.