Uji

Banorët e ‘Bregut të Diellit' mbesin pa ujë të pijshëm

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” mëngjesin e sotëm ka njoftuar konsumatorët e lagjes “Bregu i Diellit” në Prishtinë se aktualisht kanë mungesë të ujit të pijshëm.

“Për shkak të sigurisë së gypit, jemi detyruar të ndërprejmë furnizimin me ujë të pijshëm për konsumatorët e lagjes ,, Bregu i Diellit ,, në Prishtinë. Gjatë orëve të natës së mbrëmshme kemi qenë të detyruar të ndërprejmë furnizimin me ujë të pijshëm në tubacionin me dimatër DN=250 mm në rrugën ‘Gazmend Zajmi’ në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Sipas KRUP, arsyeja e ndaljes së funksionuari të tubacionit në fjalë, ka qenë mbrojtja dhe siguria e qytetarëve që banojnë në afërsi të shkollës ‘Iliria’.

“Ngase kompania private investuese përgjatë punimeve të tyre kanë ardhë deri në afërsi të gypit të ujësjellësit dhe me intervenimin e policisë së Kosovës dhe Inspekcionit komunal kemi qenë të detyruar të ndalim furnizimin, për të siguruar tubacionin”, vijon njoftimi.

Kompania ka bërë të ditur se, ekipet janë në vendin e ngjarjes si dhe ka kërkuar mirëkuptim nga konsumatorët.