Komuna e Prishtinës - Foto: Atdhe Mulla

Banesat e Paraluftës në Gjendje të Mjerueshme

Komuna e Prishtinës, ka organizuar takim me pronarët e banesave kolektive, të cilëve iu është prezantuar projekti “Krijimi i Shoqatave të Pronarëve (SHP-ve) të Ndërtesave të banimit në bashkëpronësi”.

Lumnije Gashi- Shabani nga ky projekt, tha se sektori i amvisërisë është shpenzuesi më i madh i energjisë.

Sipas saj, numri i njësive banesore në Kosovë është rreth 80 mijë dhe këto ndërtesa janë të ndërtuara një pjesë e madhe e tyre paraluftës.

Gjithashtu, gjatë këtij prezantimi u tha se Ligji për Banesat e Banimit në Bashkëpronësi ka ngecje në zbatim.

Qëllimi i këtij projekti sipas saj është inkurajimi i pronarëve për të formuar këto shoqata.

“Qëllimi i këtij projekti është që të inkurajojmë formimin e shoqatave për të mbështetur mirëmbajtjen e ndërtesave dhe rinovim të tyre për përmirësimin e efiçiencës dhe energjisë”, tha ajo.

Drita Shabani nga ky projekt, tha se shumica e ndërtesave para luftës janë 30 vjeçare e më të vjetra dhe janë në gjendje të mjerueshme.

Rinovimet individuale nuk e kanë efektin sikur iniciativa e të gjithë bashkëpronarëve.

“Izolimi i mbështjellësit, kulmi, dyshemeja, ndërrimi i dritareve, derës së hyrjes, etj, kjo ndikon në kursim të energjisë”, tha ajo.

Ajo ka ftuar pronarët që të krijojnë mekanizma të mirëmbajtjes së ndërtesave në të cilat banojnë.

“Kur jeni të organizuar edhe donatorët ju marrin parasysh më mirë.

Auditimi i energjisë e ka për qëllim identifikimin e këtyre problemeve”, u tha më tutje.

Ky projekt ka filluar në mars të vitit 2017 dhe është i financuar nga Banka Botërore përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) dhe zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me Komunën e Prishtinës.