Badivuku: Paratë i Mora Hua

Në rrëfimin e saj para gjykatës, prokurorja Vahide Badivuku pretendon se paratë të cilat iu zunë në frigoriferin e saj të dorës i kishte marrë hua për udhëtimin e saj në Austri. Badivuku ka hedhur poshtë çdo mundësi që paratë të jenë marrë mito për të liruar fajdexhinjtë e arrestuar me urdhër të saj, si dhe makinat e tyre të konfiskuara.

Në muajin gusht të vitit 2015, Policia e Kosovës kishte arrestuar prokuroren nga Mitrovica Vahide Badivuku.

Tek ajo prokuroria pretendon se u gjetën 5 mijë euro të cilat më parë ishin dhënë mito për prokuroren me qëllim që ajo të lironte makinat e fajdexhinjve të dyshuar, të cilat ishin konfiskuar nga organet e hetuesisë.

Ajo ka mohuar çdo lidhje me të akuzuarin tjetër Idriz Kelmendi, i cili po ashtu akuzohet nga prokuroria se ndërmjetësoi marrjen e mitos. “Me datën 22 gusht 2015 jam nisur me shku tek vajza në Austri dhe me vete kam pasur 5 mijë euro”, ka rrëfyer Badivuku.

Paratë ajo pretendon se i kishte për udhëtimin ndërsa para gjykatës ka përshkruar momentin kur Policia e kishte bastisur afër pikës kufitare në Merdare.

“Janë prezantuar si Policia e Krimeve Ekonomike dhe kanë urdhëruar që të zbresin të gjithë udhëtarët nga autobusi dhe t’i marrim valixhet dhe gjësendet e tjera”, ka treguar ajo, duke theksuar se asaj i janë gjetur në çantë 1.000 euro në zarf. “Ata më pyetën a kam para të tjera dhe unë u tregova se i kam edhe 4 mijë euro në frigorifer”, ka thënë ajo.

Këto para Badivuku pretendon se i kishte huazuar nga Idriz Kelmendi 4-5 ditë ose një javë përpara se të arrestohej.

[interaction id=”56df1b9f36e5105a3a7fc5fc”]

Në vazhdim të seancës, i akuzuari tjetër Isak Smakolli ka rrëfyer për tentativat e tij që në deklaratat në prokuroi mos ta thoshte të vërtetën. Smakolli i cili akuzohet se është ndërmjetësi i marrjes së mitos ka rrëfyer për procesin në të cilin janë dhënë e marrë paratë.

“Jam takuar me Idrizin në hotel dhe ai më ka thënë shko fol me familjen Hasani dhe tregoju që për pagesën prej 10 mijë eurosh ata mund të jenë të lirë”, ka rrëfyer Smakolli.

Ai ka treguar se kishte takuar familjen Hasani dhe të njëjtit i kishin dhënë 10 mijë euro për lirimin e familjarëve të tyre nga paraburgimi.

Veprimtaria e Smakollit nuk ishte ndalur me kaq. Pas lirimit të djemve nga paraburgimi dhe caktimit ndaj tyre të masës së arrestit shtëpiak, ai ishte shtyrë nga Idrizi të kontaktonte familjen Hasani edhe për lirimin e veturave të konfiskuara, për ç’gjë u kishte kërkuar 20 mijë euro. Në fillim, familja Hasani ishte hamendësuar meqë nuk i kishte paratë të gatshme, por më vonë e kishin kontaktuar Smakollin dhe kishin pranuar të paguanin shumën e kërkuar. Por, Idrizi kishte thënë se për shkak se janë vonuar tash duhet të paguajnë 22 mijë euro.

Takimi për t’i dorëzuar paratë sipas Smakollit ishte kryer pas dy javësh në Milloshevë. Sipas dëshmisë së Smakollit, 5 mijë euro ishin për të si ndërmjetësues ndërsa të tjerat për Idriz Kelmendin.

Dëshmia e Isak Smakollit do të vazhdojë të martën duke filluar nga ora 9:00.

http://kallxo.com/leximi-i-provave-ne-gjykimin-e-prokurores/