Mitrovicë, përfundon gjykimi ndaj të akuzuarit për fajde

Në Gjykatën e Mitrovicës sot ka përfunduar gjykimi ndaj të akuzuarit Isak Smakolli, i cili akuzohet për  fajde.

Akuza e Prokurorisë së Mitrovicës thotë se Smakolli në prill dhe mars të vitit 2013  i kishte dhënë hua dy herë nga 5 mijë euro F.B.,me afat kthimi të pacaktuar.

Mirëpo,  gjithnjë sipas Prokurorisë, pas dy muajve i pandehuri i ka kërkuar të dëmtuarit t’ia kthejë paratë brenda pesë ditëve duke i thënë “prej këtij momenti je në fajde” dhe i ka kërkuar 20% kamatë mujore të shumës 10.000 euro.

Në këtë rast i dëmtuari i kishte paguar të pandehurit interes në shumën prej 55.000 euro.

Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarit ka përfunduar sot pas administrimit të provave dhe dhënies së fjalës përfundimtare.

I akuzuari Smakolli ka deklaruar se pas konsultimit me avokatin e tij Mahmut Halimi, ka zgjedhur që të mbrohet në heshtje duke mos u deklaruar.

Më pas gjykata ka kaluar në dhënien e fjalës përfundimtare.

Prokurorja e rastit Fetije Bajrami Shala gjatë dhënies së fjalës përfundimtare ka thënë se mbetet në tërësi pranë akuzës dhe se nga provat e paraqitura sipas saj është vërtetuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale.

Gjithashtu ajo ka kërkuar nga gjykata dënimin e të pandehurit.

Kurse mbrojtësi i të akuzuarit Smakolli, avokati Mahmut Halimi fjalën përfundimtare e ka paraqitur me shkrim, ndërsa duke e elaboruar në gjykatë ka kërkuar nga gjykata që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuza, apo në rastin me të keq t’i shqiptojë një dënim më të butë.

“Propozoj që i mbrojturi im të lirohet nga akuza, në rastin më të pavolitshëm që të njëjtin e gjen fajtor me respekt ju drejtohem juve që të njëjtit t’i shqiptoni një dënim sa më të butë…”, tha Halimi.

Pas kësaj kryetari i trupit gjykues Avni Mehmeti ka konstatuar se gjykimi në këtë çështje ka përfunduar në tërësi, kurse shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 15 shkurt.

Shënim: Artikulli është edituar më 07.08.2023, në ora 14:40. Emri i palës së dëmtuar është larguar, pas kërkesës së palës së dëmtuar bazuar në të drejtën e tij për tu harruar.