Mitrovicë, burri akuzohet se dha hua 10 mijë euro dhe mori 55 mijë euro shpagim

Isak Smakolli, i akuzuar se dha 10 mijë euro me fajde, ka dalur para Gjykatës së Mitrovicës sot.

Ai tha se nuk ndihet fajtor lidhur me këtë akuzë.

Sipas prokurorisë, Smakolli në prill dhe mars të vitit 2013  i kishte dhënë hua dy herë nga 5 mijë euro F.B., në afat kthimi të pacaktuar.

Mirëpo, sipas aktakuzës, pas dy muajve i pandehuri i ka kërkuar të dëmtuarit t’ia kthejë paratë brenda pesë ditëve dhe i ka thënë “prej këtij momenti je në fajde” dhe i ka kërkuar 20% kamate mujore të shumës 10.000 euro.

Në këtë rast i dëmtuari i kishte paguar të pandehurit interes në shumë prej 55.000 euro.

Gjykatësi i rastit Avni Mehmeti e ka njoftuar të pandehurin dhe avokatin e tij Mahmut Halimi se në afat prej 30 ditëve mund paraqesin kundërshtimet e tyre në lidhje me aktakuzën.

Shënim: Artikulli është edituar më 07.08.2023, në ora 14:37. Emri i palës së dëmtuar është larguar, pas kërkesës së palës së dëmtuar bazuar në të drejtën e tij për tu harruar.