Gjykata e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com
Dënim më burg dhe gjobë ndaj të akuzuarit për fajde
Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me dy vjet burgim të akuzuarin Isak Smakolli për veprën penale, fajde.
Po ashtu Samkolli është dënuar edhe me gjobë në shumë prej 5 mijë eurove.
Akuza e Prokurorisë së Mitrovicës thotë se Smakolli në prill dhe mars të vitit 2013 i kishte dhënë hua dy herë nga 5 mijë euro F.B., me afat kthimi të pacaktuar.
Mirëpo, gjithnjë sipas Prokurorisë, pas dy muajve i pandehuri i ka kërkuar të dëmtuarit t’ia kthejë paratë brenda pesë ditëve duke i thënë “prej këtij momenti je në fajde” dhe i ka kërkuar 20 për qind kamatë mujore të shumës 10.000 euro.
Në këtë rast i dëmtuari i kishte paguar të pandehurit interes në shumën prej 55.000 euro.
Shpallja e aktgjykimit është bërë dje, nga kryetari i trupit gjykues Avni Mehmeti, me ç’rast i pandehuri Smakolli është dënuar me dy vjet burgim efektiv dhe 2,500 euro gjobë.
Përveç kësaj, i akuzuari është i obliguar që në bazë të kërkesën pasurore juridike të ia kompensoj të dëmtuarit shumën prej 37,250.00 euro.
Kallxo ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.
Shënim: Artikulli është edituar më 07.08.2023, në ora 14:39. Emri i palës së dëmtuar është larguar, pas kërkesës së palës së dëmtuar bazuar në të drejtën e tij për tu harruar.