Ajtene Krasniqi - Foto: Facebook

Avokati i Ajtene Krasniqit kërkon të hidhet aktakuza

Mbrojtësi i Ajtene Krasniqit, avokati Bashkim Nevzati, ka paraqitur kundërshtimet e tij ndaj provave dhe ka kërkuar që aktakuza ndaj klientes së tij, e ngritur nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, të hidhet poshtë.

Ajtene Krasniqi për publikun është e njohur për zbulimin dhe prodhimin e Nt-41, një ilaç bimor që ajo pretendon se shëron çdo sëmundje që e kanë shkaktuar bakteret.

Por kështu nuk mendon Prokuroria Themelore e Prizrenit, e cila ka ngritur aktakuzë ndaj të njëjtës për veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së produktit të dëmshëm mjekësor, raporton KALLXO.com.

https://kallxo.com/aktakuze-ndaj-ajtene-krasniqit-qe-pretendonte-se-ka-zbuluar-ilaqe-inovative/

Ajtene Krasniqi në shqyrtimin fillestar kishte deklaruar se “nuk e ndjej veten aspak fajtore”.

Në aktakuzë thuhet që ”Ajtene Krasniqi si pronare e subjektit farmaceutik ”Ajtene Krasniqi BI” prodhon barëra dhe produkte mjekësore të dëmshme për shëndetin e njerëzve”.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren konsideron se këto produkte të dëmshme janë NT-41, M-5 dhe M.-7, sepse nuk i janë bërë kontroll nga enti i autorizuar dhe të njëjtat janë vënë në qarkullim.

Në shqyrtimin e dytë avokati i saj Bashkim Nevzati, paraqiti kundërshtimet ndaj provave të Prokurorisë dhe kërkoi që aktakuza të hidhet, sipas tij e njëjta bazohet në deklarata kundërthënëse dhe nuk është e bazuar ashtu siç parashihet me dispozitat ligjore.

Gjatë javës pritet që Gjykata Themelore, gjyqtari Luan Berisha të dalë me një vendim të posaçëm.

Në këtë aktvendim Gjykata vendos nëse aktakuza është e bazuar në ligj dhe vazhdohet në gjykim kryesor, në të kundërtën nëse Gjykata merr aktvendim dhe e hedh aktakuzën si të pabazuar në ligj, atëherë Prokuroria ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

Pasi Krasniqi bërë publik ilaçin kohë më parë, në maj të vitit 2015 ajo fillon edhe ballafaqimin me organet e drejtësisë, pasi që fillimisht shtëpia e saj dhe vendi ku ajo ushtron vepritmarinë bastiset, nga ku dhe i sekuestrohen sendet e shumta, të cilat edhe janë propozuar në aktakuzë që pas gjykimit të konfiskohen, e pastaj e njëjta edhe nga 4 maji e deri në 3 qershor të vitit 2016 kishte qëndruar edhe nën masën e arrestit shtëpiak.

E njëjta pretedon se ka zbuluar edhe 11 ilaçe të tjera, ndërsa vazhdimisht është shprehur se ka në plan të zbulojë edhe ilaçe tjera bio që shërojnë sëmundje të ndryshme, për të cilat mjekësia moderne nuk ka ende zgjidhje.