Foto: AKK

Asociacioni i Komunave të Kosovës me Kryetar të Ri

Kuvendi i Përgjithshëm i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka zgjedhur për kryetar të AKK-së, Agim Veliun, kryetar i Komunës së Podujevës, dhe zëvendëskryetar, Xhafer Gashin, kryetar i Komunës së Obiliqit.

Sipas njoftimit të AKK-së, kuvendi po ashtu zgjodhi edhe anëtarët e Bordit të AKK-së: Haki Rugova, kryetar i Komunës së Istogut; Imri Ahmeti, kryetar i Komunës së Lipjanit; Agron Kuçi, kryetar i Komunës së Junikut; Agim Aliu, kryetar i Komunës së Ferizajt; dhe Dragan Petkoviq, kryetar i Komunës së Parteshit.

Agim Veliu tha se Asociacioni i Komunave të Kosovës është një organizatë tërësisht e Komunave të Kosovës dhe është në shërbim të plotë të pushtetit lokal dhe sfidave e çështjeve që preukupohet ky nivel i qeverisjes në Republikën e Kosovës.

“Besoj se së bashku do t’ia dalim që të ecim tutje me progres të ri në funksionin që ceka më lartë dhe në funksion të shërbimeve sa më efikase e kuptimplote për qytetarët e komunave tona”, tha ndër të tjera kryetari i ri i AKK-së, Agim Veliu.

Kuvendi i Përgjithshëm Vjetor i AKK-së debatoi sot edhe për raportet vjetore të punës dhe atë financiar për vitin 2017 si dhe debatoi për agjendën legjislative të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2018 dhe për çështjet tjera të lobimit në interes të Komunave të Kosovës.

Kryetari i kaluar i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka qenë Naim Ismajli (PDK), ndërsa para tij ka qenë Lutfi Haziri (LDK).