Takimi Mustafa-Ashton | Foto: ZKM

Ashton Thërret për Vazhdim të Dialogut me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim ish- përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Baroneshën Catherine Ashton, e cila po qëndron për vizitë në Kosovë.

Sië njofton Zyra e Kryeministrit, Mustafa e njoftoi Ashton-in për zhvillimet e fundit në procesion e dialogut në Bruksel.

“Përkundër zvarritjeve dhe provokimeve të shkaktuara nga pala serbe, Kosova edhe gjatë procesit të dialogut në Bruksel, po dëshmon se është model rajonal dhe më gjerë i përkushtimit për dialog, për paqe dhe stabilitet,” shkruan në komunikatë t’i ketë thënë Ashtonit Mustafa.

Duke çmuar përkushtimin e Kosovës në rrugën euroatlantike, baronesha Ashton theksoi edhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut si mënyra më e mirë e normalizimit të raporteve ndërmjet shteteve në rajon dhe më gjerë.

Gjatë takimit, pasi baronesha Ashton është politikane angleze, Kryeministri Mustafa shprehu mirënjohje edhe për përkrahjen e madhe të Mbretërisë së Bashkuar, duke theksuar besimin e plotë se Londra do të vazhdojë mbështetjen për shtetin e Kosovës, e cila tashmë është konfirmuar edhe nga sekretari Boris Johnson.

Johson vizitoi Kosovën në nëntor të vitit të kaluar, ndërsa dha mesazhe të drejtëpërdrejta për kosovarët dhe politikanët e tyre.

http://kallxo.com/boris-johnson-jep-meszhet-britanike-per-kosoven/

Baroneshën Ashton e priti sot edhe ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj.

Sipas një komunikate të MPJ-së Hoxhaj, e njoftoi ish-shefen e Politikës së jashtme dhe Sigurisë së Evropës, lidhur me tensionet e fundit mes Kosovës e Serbisë.

“Serbia ka nisur gamë të gjerë dhe intensive të provokimeve dhe një politikë agresive kundër Kosovës. Një sjellje e tillë është kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për paqen në tërë rajonin. Por, pavarësisht se çfarë kërcënime do të vijnë nga Serbia, Kosova do t’u përgjigjet duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj,” tha Hoxhaj sipas komunikatës.

Të shtunën një tren me simbole kombëtare, fetare e nacionaliste serbe u nis nga Beogradi me qëllim që të udhëtonte deri në Mitrovicën veriore, por u ndal në Rashkë të Serbisë, 10 kilometra pa hyrë në Kosovë, pasi autoritetet kosovare vendosën të mos e lejojnë të hyjë brenda vendit.

http://kallxo.com/treni-nuk-leviz-nga-rashka/

Gjatë kohës sa Ashton drejtonte politikën e jashtme evropiane Kosova e Serbia në dialogun e Brukselit arritën marrëveshjen e  parë të parimeve për normalizim marrëdhëniesh që u nënshkrua më 19 prill 2013.

Kosova dhe Serbia Hapin Rrugën Për në BE

Dialogu është duke vazhduar që nga ajo kohë, ndërsa prejse u nënshkrua kjo marrëveshje Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, Internews Kosova dhe Qendra për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie – CRTA në Serbi monitorojnë zbatimin e marrëveshjeve të këtij dialogu nëpërmjet raporteve të quajtura “Big Deal”.

BIG DEAL 4