Ilustrim - Arrestim i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com
Arrestohet i Burgosuri që u Arratis nga QKUK-ja
I burgosuri L.G. (1998) ishte duke u transferuar nga burgu i Gjilanit drejt burgut të Dubravës dhe kishte kërkuar tretman mjekësor në QKUK. Pasi ishte dërguar aty, ai ka kërcyer nga kati i dytë i Emergjencës dhe ishte arratisur, njofton Policia e Kosovës.
Pas njoftimit të Shërbimit Korrektues më 28 mars, njësitet policore nga Drejtoria Rajonale e Pejës rreth orës 22:00 në fshatin Grabanicë kishin ndalur një automjet të tipit “Mercedes” me targa vendore.
Gjatë kontrollit të veturës Policia kupton se një pasagjer nuk kishte dokumente të identifikimit dhe i njëjti kishte tentuar t’u ikte zyrtarëve policorë.
I dyshuari ishte arrestuar menjëherë nga zyrtarët e Policisë dhe ishte dërguar në Stacionin Policor të Klinës.
“Për këtë janë njoftuar autoritetet nga Qendra Korrektuese Dubravë dhe pas verifikimit për identitetin e të dyshuarit, i njëjti i është dorëzuar autoriteteve të Qendrës korrektuese në Dubravë për të vazhduar me vuajtjen e dënimit në kohëzgjatje prej katër (4) vite”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Pejës.
Po ashtu, Policia e Pejës njofton se sot rreth orës 02:20 në aksin rrugorë Klinë-Gjakovë gjatë kontrollit të një veture kishte hasur në dy pasagjerë që pas legjitimimit doli se ishin të kërkuar nga Gjykata Themelore e Gjilanit.