Fahrudin Radonçiq

Arrestohet Biznesmeni- Dëshmitar në Rastin e Naser Kelmendit

Policia nga Agjencia e Hetimit dhe Mbrojtjes së Shtetit të Bosnjës, të hënën arrestoi Radonçiq, një manjat i cili udhëheq Aleancën për ardhmëri më të mirë të Bosnjës dhe Hercegovinës, partisë SBBBiH.

Sipas një deklarate nga prokuroria boshnjake, Radonçiq u arrestua në Sarajevë për gjoja “ndërhyrje në punën e gjyqësorit”.

Burime nga prokuroria boshnjake thanë për  BIRN se Radonçiq është i dyshuar për ndikim në  dëshmitarë, por nuk pranuan të thonë se në cilin rast.

“Së bashku me arrestimin, gjykata boshnjake urdhëroi edhe bastisje në disa vende,” tha prokuroria.

Sipas faqen e internetit Klix me seli në Sarajevë, policia ka bastisur lokalet e Dnevni Avaz, gazeta në pronësi të Radonçiq.

Dy javë më parë, prokuroria boshnjake urdhëroi arrestimin e një politikani nga SBBBiH, Bakir Dautbashiq me dyshimin se ka ndikuar dëshminë e një shtetase boshnjake, Azra Sariq, në gjykimin në të cilin i akuzuar për trafik droge dhe vrasje po gjykohet Naser Kelmendi në Prishtinë .

Dautbashiq dyshohet  të ketë ndërhyrë për të mbrojtur Kelmendin dhe Radonçiq, dhe ende po mbahet në paraburgim.

Radonçiq ka hedhur poshtë pretendimet se ai ishte i implikuar në rastin Kelmendi duke e quajtur si “trillim politik”.

Arrestimi i Radonçiq ka gjasa të ketë një ndikim të madh politik si në Këshillin e Ministrave e po ashtu edhe  Qeverisë  Federale të vendit, në të cilin SBBBiH është një partnere e koalicionit qeveritar së bashku me Partinë e Veprimit Demokratik (SDA) dhe Bashkimit Demokratik Kroat (HDZBiH) .

Pas arrestimit Dautbashiq, udhëheqësi i SDA dhe anëtari i presidencës boshnjake Bakir Izetbegoviq deklaroi se “[partia jonë] do të mbetet në koalicion me SBBBiH”.

As SBBBiH dhe as SDA nuk kanë komentuar arrestimin e Radonqiqit.

Fahrudin Radonçiq, është njëri nga dëshmitarët që prokurori i EULEX-it e ka propozuar në rastin në të cilin i akuzuar është Naser Kelmendi.

Radonçiq është paraparë që dëshminë e tij ta jep gjatë muajit prill.

Gjykimi i Naser Kelmendit kishte filluar në janar të vitit të kaluar, ndërsa akuzat e prokurorisë që atë e akuzojnë për vrasjen e Ramiz Delaliq dhe narkotikë, e quajti si prodhim nga Bosnja.

Naser Kelmendi ishte arrestuar në shtator të vitit 2012, ndërsa pasi që Kosova dhe Bosnja nuk kanë marrëveshje ekstradimi, ai po gjykohet në Kosovë nga një trup gjyqësor me shumicë gjyqtarësh të EULEX.

Rasti i Kelmendit në Kosovë, është drejt fundit dhe pritet që brenda këtij vitit të përfundoj pasi që prokuroria i ka përfunduar pothuajse të gjithë dëshmitarët e saj, përjashtuar Delaliq.

Shumica e dëshmitarëve të ftuar nga prokuroria dëshminë e tyre e kanë dhënë përmes video-lidhjes, ndërsa shumë prej seancave të këtij rasti kanë qenë të mbyllura për publikun.