Arrestim i një të dyshuari - Foto: KALLXO.com

Arrestohen dy persona për mashtrim me bileta të aeroplanëve

Dy persona janë arrestuar nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës nën dyshimin për mashtrim me bileta të aeroplanëve.

Për arrestimin e këtyre persona, policia ka njoftuar se ka aplikuar masa të fshehta të hetimin dhe mbledhjen e provave që lidhen me rastin.

Policia ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një plan operativ të quajtur Avio-biletat, ku janë kontrolluar katër lokacione ne rajonet Prishtinë, Pejë dhe Gjakovë, në mesin e tyre tri agjenci turistike si dhe një banesë.

“Gjatë kontrollimit është bërë arrestimi i dy personave të dyshuar të përfshirë në këtë rast si dhe është bërë konfiskimi i tri shtëpizave të kompjuterëve, tre telefonave mobil, dhe disa dokumenteve të cilat ndërlidhen me rastin”, njofton policia.

Policia ka njoftuar se si pasojë e veprimeve të të dyshuarve R.I, 29 vjeçar dhe A.D, 24 vjeçar, janë dëmtuar disa agjenci turistike dhe rreth 27 qytetar nga regjione të ndryshme të Kosovës si dhe nga diaspora.

Policia ka njoftuar se dyshohet se numri i personave të dëmtuar nga ky rast mund të jetë më i madh, andaj ka bërë apel tek të gjithë qytetarët që janë viktima të mundshme të mashtrimit nga personat e dyshuar të lartëcekur të lajmërohen në polici.

Pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarve iu është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë.