Arrest Shtëpiak për Faton Topallin

Gjyqtari i Procedurws Paraprake i ka caktuar maswn e arrestit shtëpiak deputetit të “Vetëvendosjes” Faton Topallit.

Caktimin e kësaj mase e konfirmoi për KALLXO.com avokati i Topallit Alban Ajvazi.

“Unë sapo e mora vendimin sipas të cilit deputetit Topalli i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në afat prej 30 ditësh. Si do që të jetë ne edhe ndaj kësaj mase do të ushtrojmë ankesë,” tha avokati Ajvazi.

15:27

Përfundon Seanca Ndaj Faton Topallit-Pritet Vendimi

Përfundoi seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj deputetit të “Vetëvendosjes” Faton Topalli.

Përfundimin e seancës e bëri të ditur për KALLXO.com Alban Ajvazi, avokati i Faton Topallit.

Ajvazi tha se është duke pritur të njoftohet për vendimin e gjykatës.

Ai tregoi se në seancën e caktimit të masës së sigurisë, prokuroria ka kërkuar paraburgim për Topallin.

Ajvazi tha se e ka kundërshtuar këtë masë.

“E kam kundërshtu kërkesën për caktim të paraburgimit sepse e njëjta ka qenë e palogjikshme dhe e padrejtë, sepse klienti im nuk është aq naiv sa që të lajmërohet në organe shtetërore e të ketë rast në Kuvend po të ishte në arrati siç pretendon prokuroria, sepse nuk ka kurrfarë arsye të arratiset,” tha Ajvazi.

11:23

Faton Topalli Del Pasdite Para Gjykatës

Sot pritet të mbahet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj deputetit të “Vetëvendosjes” Faton Topalli.

Lajmin e mbajtjes së kësaj seance e konfirmoi për KALLXO.com Alban Ajvazi, avokati i Faton Topallit.

Seanca ndaj Topallit pritet të nisë në orën 13:00. Avokati Ajvazi ende nuk e di se çfarë mase sigurie ka kërkuar për Topallin prokuroria, pasi nuk e ka marrë kërkesën për seancën e masës së sigurisë.

Faton Topalli u arrestua dje në Kuvendin e Kosovës. Ai dyshohet për aktivizimin e gazit lotsjellës në njërën nga mbledhjet e legjislativit.

Dje po nën dyshimet për aktivizim të lotsjellësit, u arrestua edhe Albulena Haxhiu, po ashtu deputete e “Vetëvendosjes”. Asaj gjatë ditës së djeshme iu caktua paraburgimi prej 30 ditësh.

Përveç Haxhiut, në paraburgim ndodhen edhe deputetët opozitarë Albin Kurti e Donika Kadaj-Bujupi, ndërsa në arrest shtëpiak po mbahen Haxhi Shala, Issmajl Kurteshi e Fisnik Ismaili.