Gazetari Arbër Vllahiu aderon në AAK. Foto: Zëri/Video/Facebook

Arbër Vllahiu ‘Gjen Shtëpinë’ në Aleancë

Arbër Vllahiu, gazetari dhe ish-këshilltari i Presidentes Jahjaga prej sot do të jetë pjesë e AAK-së.

Në një konferencë të përbashkët me kreun e AAK-së Ramush Haradinaj, Vllahiu tregoi arsyet pse iu bashkua AAK-së.

“Unë kam parë këtu, në mes të Aleancës, shtëpinë dhe një adresë të duhur të ecim përpara drejt zhvillimit të vendit, ndërtimit të këtij vendi që e kemi shumë për zemër dhe konsideroj se kjo është adresa dhe rrugëtimi i jonë i përbashkët”, tha Vllahiu.

Ramush Haradinaj që e priti me duar të hapura Vllahiun në partinë që drejton, tregoi pse ish-gazetari nuk do të jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të kësaj partie.

“Të gjithë ne kemi menduar se dobia e Arbrit është te këshillimi, te përkrahja në tema konkrete e jo kandidimi, jo pse nuk është i mirë në listë, por nuk e kemi pasë këtë projeksion së bashku, por do të jetë këshilltari im dhe do të vazhdojmë së bashku”, tha Haradinaj.

Kreu i AAK-së tregoi se marrëveshja për kalimin e Vllahiut në AAK ishte nënshkruar para krijimit të koalicionit PDK-AAK-Nisma.

Para se të ishte këshilltar i Jahjagës, Vllahiu punoi në “Kohën Ditore” programin e BBC-së në gjuhën shqipe, në Radion “Evropa e Lirë” dhe mediume tjera.

Dje KALLXO.com shkroi për listën e kandidatëve për deputetë të AAK-së. Në të ndodhet edhe ish-shefi i grupit parlamentar të AAK-së Pal Lekaj, ndaj të cilit Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim pozite.

Në listë është edhe Elmaze Nura që u shpall e pafajshme në një proces gjyqësor muajin e kaluar.

http://kallxo.com/aak-nis-betejen-me-keta-kandidate/

Më 13 maj AAK-së iu bashkua edhe publicisti dhe gazetari Halil Matoshi. Matoshi ndodhet në listën e këtij subjekti për deputet.

http://kallxo.com/halil-matoshi-rikthehet-ne-politike-tash-me-aak-ne/