Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natalyia Apostolova - 29.05.2019, Foto: KALLXO.com

Apostolova: Raporti i Komisionit Europian për Kosovën, një gotë gjysmë e mbushur

Shefja e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Natalyia Apostolova, pas publikimit të Raportit të Progresit për Kosovën, ka deklaruar se BE-ja ka dhënë një sinjal të qartë për të ardhmen europiane për gjithë rajonin.

Sa i përket Kosovës, Apostolova ka bërë të ditur se raporti në fjalë ofron një vlerësim më të gjerë se ku qëndron vendi dhe për përmbushjen e sfidave.

“Nuk ka rrugë të shkurtër për në BE. Boshllëqet mbeten, posaçërisht në sundim të ligjit.  Raporti i vitit 2019 për Kosovën ofron një gotë gjysmë të mbushur. Ka pasur përparim në reformat evropiane. Përparim i madh është bërë në administratë publike dhe qeverisjen e mirë, në sundim të ligjit dhe luftimit e krimit dhe korrupsionit. Shoqëria civile po ruan një rol mjaft të madh”, ka thënë Apostolova të mërkurën në Prishtinë.

Ajo ka bërë thirrje për heqjen e taksës doganore ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

“Taksa ndaj Serbisë dhe Bosnjës minon përpjekjet, shpresojmë qe shpejt të hiqet kjo pengesë”, ka thënë ajo.

Megjithatë, sipas Apostolovës rruga e Kosovës drejt BE-së është edhe me pengesa të tjera.

“Tani është koha të kemi rezultate të prekshme duke zbatuar ligjet e miratuara, kundër krimit e korrupsionit dhe një ekonomie më të fortë. Rruga drejt Be për Kosovën është me pengesa. Për fat të keq ky raport pasqyron krizat e vazhdueshme. Mungesa e kuorumit dhe vonesat ne aktivitetet e Kuvendit, mbikëqyrja e qeverisë nga legjislativi mbetet e ulët”, theksoi ajo.

Shefja e BE-së në Kosovë ka përmendur edhe emërimet në pozita të larta, pa meritokraci.

“Emërimet e pamerituara mbi baza politike kanë vazhduar. Emërimi i krimineleve të luftës në pozita qeveritare është një zhgënjim dhe është kundër vlerave europiane”, shtoi ajo.

Sa i përket liberalizimit të vizave, Apostolova tha se në Raportin për Kosovën është theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për vizat.

“Në raportin aktual edhe në pjesën e konkluzioneve dhe të rekomandimeve theksohet se të gjithë kriteret janë përmbushur dhe Parlamenti dhe Komisioni Europian rekomandoi që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur. Kjo është gjuha më e fortë qe kemi parë në raport, i cili nxit shtetet anëtare të Këshillit Europian qe të gjejë një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur”, theksoi ajo.