Foto: KALLXO.com

Raporti i progresit: Lufta ndaj korrupsionit ka shënuar një progres të kufizuar

Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën tregon se në fushën e rasteve të korrupsionit ka pas progres të kufizuar duke përfshirë këtu edhe ndjekjen penale nga prokuroria në aspektin e gjurmimit të rasteve të nivelit të lartë të korrupsionit.

Në këtë aspekt është thënë se nevojiten përpjekje për të arritur fillimisht një aktivitet më të lartë në fushën e hetimeve, pastaj vendime të formës së prerë të gjykatave dhe konfiskim përfundimtar të aseteve lidhur me këto vepra penale.

Në raport thuhet se Prokuroria Speciale është forcuar në aspektin e hetimit të këtyre veprave penale pasi Departamenti i Kundër Korrupsionit dhe Krimit Financiar në kuadër të kësaj prokurorie, është bërë funksional, duke përfshirë këtu edhe rritjen e përgjithshme të stafit.

Sa i përket konfiskimit është thënë se paketa ligjore edhe pse është në fuqi nuk ka aplikim të vazhdueshëm si dhe mbetet e ulët vlera e pasurive të konfiskuara.

Sipas raportit, korrupsioni mbetet një çështje e shqetësimit serioz pavarësisht nga përpjekjet e bëra në këtë drejtim, kërkohet një vullnet politik i vazhdueshme për të trajtuar në mënyrë efektive rreziqet sistematike të korrupsionit.

Po ashtu kërkohet një reagim i fuqishëm i drejtësisë ndaj rasteve të nivelit të lartë të korrupsionit, thuhet në raport.