Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Apeli Anulon Vendimin e Themelores për Arbitrazhin me OeSD-në

Avokatët e Ministrisë së Punëve të Brendshme që përfaqësuan Kosovën në kontestin për pasaportat biometrike me kompaninë austriake OeSD, kishin ngritur padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës në nëntor 2014, duke kërkuar kontestimin e juridiksionit të Gjykatës së Arbitrazhit në Paris për të vendosur rreth kësaj çështjeje.

Gjykata e Arbitrazhit në Paris kishte vendosur që Qeveria e Kosovës t’i paguajë kompanisë austriake OeSD 5 milionë euro, në emër të dëmit të krijuar asaj, pas shkëputjes së njëanshme nga MPB-ja të kontratës për pasaportat biometrike.

Por Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte refuzuar më 8 tetor 2016 padinë e MPB-së, duke e konsideruar veten jokompetente për ta trajtuar çështjen nëse arbitrazhi në Paris ka të drejtë të vendosë për kontestin mes OeSD-së dhe MPB-së.

http://kallxo.com/ekskluzive-gjykata-refuzon-padine-e-mpb-se-per-pasaportat/

Por Gjykata e Apelit në një komunikatë të lëshuar sot bën me dije se ka anuluar vendimin e themelores për moskompetencë.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka prishur me 15.12.2016, aktvendimin  e Gjykatës Themelore në Prishtinë të datës 16.10.2016, me anë te se cilit, kjo e fundit e ka hedhur poshtë për shkak të jo kompetencës, padinë e Qeverisë se Republikës së Kosovës, kundër të paditurve: Gjykata Ndërkombëtare e  Arbitrazhit, me seli në Paris të Francës dhe Osterreichische Staatdruckerei GMBH, me seli në Vjenë të Austrisë,” thuhet në komunikatën e Apelit.

Apeli e ka kthyer në rigjykim refuzimin e themelores për ta trajtuar kompetencën e arbitrazhit të Parisit.

“Departamenti i Çështjeve Ekonomike, i Gjykatës së Apelit, ka vendosur që kjo çështje të kthehet në rigjykim, pasi që ka gjetur shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe të drejtës materiale,” thuhet në komunikatë.

MPB-ja dhe Qeveria e Kosovës kur kërkuan nga themelorja që ta trajtojë kompetencën e Arbitrazhit të Parisit në kontestin me MPB-në kishin përmendur klauzolën e kontratës me OeSD-në në të cilën ishte shkruar që në rast mospajtimesh kontestet në fillim të trajtohen në gjyq e pastaj në arbitrazh, duke mos precizuar në cilin.

Lëshimet që Mund t’i Kushtojnë Miliona Kosovës

Gjykata e Apelit në vendimin e saj konstaton që Gjykata në Prishtinë ka kompetenca të vendosë në lidhje me përfshirjen e Gjykatës së Arbitrazhit të parisit në kontestin MPB-OeSD.

“Gjykata e Apelit, konstaton se pretendimet e gjykatës se shkallës se parë se gjykatat vendore janë kompetente për te vendosur vetëm lidhur me vendimet e arbitrazhit vendor dhe jo atij të huaj, nuk qëndrojnë, pasi që ligji nuk  parasheh një dallim te tillë,” thuhet në komunikatë.

MPB-ja tenderin me OESD-në për prodhimin e pasaportave biometrike të kosovarëve, me vlerë prej 14 milionë e 127 mijë e 3.24 euro e nënshkroi në datën 17 qershor të vitit 2011 .

Krahas procesit civil, të cilin Kosova e humbi në arbitrazh, lidhur me këtë rast është mbajtur edhe një proces gjyqësor i cili ka përfunduar në shkallë të parë në dhjetor të vitit 2014.

Si pjesë e këtij procesi, Natali Velija, përfaqësuesja e OeSD-së ishte dënuar me 12 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprat penale: krim i organizuar, pastrim i parave dhe mashtrim, ndërsa më pas ky dënim nga Gjykata e Apelit i ishte ulur në 8 vjet burgim për dy vepra penale – mashtrim dhe pastrim i parave.

Shkrimet për këtë gjykim mund t’i lexoni këtu.