Pasaporta

Lëshimet që Mund t’i Kushtojnë Miliona Kosovës

Pak javë pas skandalit të pasaportave, Ministria e Punëve të Brendshme kishte vendosur ta anulojë kontratën me kompaninë austriake OeSD.

Gazeta JnK zbulon një varg lëshimet që janë bërë nga institucionet e Kosovës, e të cilat mund të çojnë në humbjen e miliona eurove në arbitrazhin ndërkombëtar.

Zyrtarë të përfshirë në proces kanë potencuar defekte duke përfshirë faktin se MPB-ja nuk ka konsultuar avokatët e as juristët kur ka marrë vendimin për shkëputjen e kontratës, e deri te lëshimet e kryera  gjatë hartimit të kontratës.

Hulumtimi zbulon se pas shkëputjes së kontratës, OeSD-ja kishte nisur procedurën në Arbitrazhin në Paris. MPB-ja nuk kishte qenë e pajtimit për këtë dhe kishte dorëzuar një padi në Gjykatën Ekonomike duke kontestuar juridiksionin e arbitrazhit. Kërkesa e MPB-së nuk është vendosur asnjëherë nga gjykata ndërsa në Paris, Gjykata e Arbitrazhit ka vendosur se MPB-ja ka qenë fajtore me rastin e shkëputjes së kontratës për furnizim me pasaporta. Arbitrazhi e ka obliguar MPB-në që t’i paguajë dëmshpërblim kompanisë austriake OeSD shumën prej 5 milionë euro.

Në muajin janar të vitit 2013, Ministria e Punëve të Brendshme kishte vendosur që të ndërpresë kontratën me kompaninë OeSD me arsyetimin se kontingjentet e pasaportave ishin vonuar. Përfaqësuesja e kësaj kompanie në Kosovë Natali Veliaj ishte arrestuar pak ditë më herët dhe mbi të rëndonin akuza për mashtrim  në skandalin e shumëpërfolur të pasaportave.

Për publikun ende është e paqartë se kush vendosi që kontrata në vlerë mbi 14 milionë euro të shkëputet me austriakët e OeSD-së. Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka përgjigje në pyetjet se kush e mori vendimin. Në njoftimin e MPB-së me rastin e shkëputjes së kontratës është dhënë një sqarim.

“Është shkelur neni 5 i kushteve të veçanta të kontratës bazë. Nuk është respektuar neni 3 i marrëveshjes, neni 16 i kontratës dhe së fundi është refuzuar kërkesa jonë për zgjidhje miqësore në të gjitha pikat kontestuese”, thuhet në njoftimin e MPB-së, të lëshuar në janar të vitit 2013.

Avokati Gazmend Nushi, i cili ishte angazhuar ta mbrojë MPB-në në arbitrazh, thotë se gjatë përgatitjes së lëndës nuk ka gjetur ndonjë dëshmi se si erdhi deri te shkëputja e kontratës. Thotë se MPB-ja nuk ka bërë konsultime me profesionistë para se të shkëputej kontrata.

“Fatkeqësisht Ministria e Punëve të Brendshme pa konsultim me avokatë profesionistë ka vlerësuar se ka si arsye të mjaftueshme për me shkëput kontratën për shkak se ka pasë vonesa në furnizim me pasaporta. Ka pasë vonesa ekstreme”, tha Nushi.

KALLXO.com, i dërgoi pyetje Ministrisë së Punëve të Brendshme për procesin se si erdhi te shkëputja e kontratës, por ata nuk janë përgjigjur në pyetjen konkrete.

Avokati që përfaqësoi MPB-në në këtë proces gjyqësor, tregon lëshimet që janë bërë nga ministria.

“Gabimi i ministrisë ka qenë se nuk ka reaguar me kohë. Sipas dispozitave ligjore pasi që austriakët janë vonuar MPB ka qenë e obliguar të reagojë në afat të arsyeshëm, e që në praktikë dhe teori gjyqësore nënkupton disa javë, për shembull dy apo tri javë”, ka thënë Nushi.

Vonesat e kontingjenteve të pasaportave, sipas tij, varionin në mes të 5 (kontingjenti i fundit) dhe 15 muaj (kontingjenti i parë).

Neglizhenca e Gjykatës Themelore të Prishtinës

Shkëputja e kontratës shënoi edhe nisjen e betejave juridike në mes MPB-së dhe OeSD-së. Përfaqësuesit ligjorë të kompanisë vendosën që lëndën ta dërgojnë në arbitrazh, ndërsa duke u thirrur në ligjet vendore MPB-ja vendosi ta kundërshtojë arbitrazhin në Gjykatën e Prishtinës.

Më 6 nëntor 2014 një padi ishte dorëzuar në Departamentin Ekonomik të Prishtinës, por sipas avokatit Nushi kjo lëndë ende nuk është trajtuar.

“Ne menjëherë sapo e kemi marrë atë vendim të ndërmjetëm, e kemi bërë kërkesën për shfuqizimin dhe anulimin e tij sipas dispozitave të Ligjit për Arbitrazhin që na lejon një mundësi të tillë dhe e kemi dorëzuar në Gjykatën Ekonomike në nëntor të vitit 2014, por fatkeqësisht kjo gjykatë ende s’ka filluar punën lidhur me të”, tha Nushi për KALLXO.com

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga gjykata por këta të fundit nuk janë përgjigjur me arsyetimin  se gjyqtari i rastit është në pushim. Sidoqoftë, gjykata e konfirmoi se një lëndë ku është e përfshirë kompania austriake OeSD është në atë gjykatë.

“Ju njoftojmë se në periudhën nga muaji tetor 2014 deri në muajin dhjetor 2014 ekziston vetëm një lëndë ku është e përfshirë Kompania Austriake OeSD International GmhH”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim pranë Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Derisa Gjykata Themelore ende nuk e ka shqyrtuar kërkesën e bërë nga MPB-ja, Arbitrazhi i Parisit ka qenë shumë më i shpejtë për të vendosur për gjithë kontestin. E ka obliguar Ministrinë e Punëve të Brendshme që t’ia paguajë dëmin për fitimin e humbur kompanisë austriake OeSD, në vlerë prej 5 milionë eurove, për shkak të shkëputjes së njëanshme të kontratës për prodhimin e pasaportave biometrike.

OeSD-ja duhet të kërkojë nga instancat gjyqësore të Kosovës njohjen dhe ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit, në mënyrë që ai të jetë i zbatueshëm.

OeSD-ja kërkon pagesën e faturave të papaguara dhe fitimin e humbur

Nëse e bën një kërkesë të tillë, gjykata do të duhet të vendosë për dy lëndë të ndryshme për të njëjtin kontest.

Avokati Nushi thotë se gjykata duhet me urgjencë të vendosë për çështjen e juridiksionit të arbitrazhit.

“Tani gjykatës i duhet që fillimisht të trajtojë kërkesën për njohje, sepse nuk ka logjikë me ia njoftë vendimin final pa u ditë nëse ka qenë kompetent apo jo”, tha Nushi.

Avokati thotë se tërë këtë konfuzion mund ta zgjidhë Gjykata Themelore e Prishtinës, saktësisht departamenti ekonomik pranë kësaj gjykate. Megjithatë, Nushi thotë se rastet kur juridiksioni i ndonjë arbitrazhi anulohet nga ndonjë vendim i gjykatës janë të rralla.

Ish-Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, në kohën e këtij tenderi, Bajram Rexhepi, kur kishte dëshmuar në procesin gjyqësor kundër Natali Veliajt dhe të tjerëve, kishte thënë se buxheti i Kosovës nuk është dëmtuar për asnjë cent.

Dy vjet më pas, Rexhepi nuk dëshiron të deklarohet fare. I kontaktuar nga KALLXO.com Rexhepi refuzoi të deklarohet për këtë çështje, ndërsa ministria që ai drejtonte u obligua të paguajë më shumë se 5 milionë euro dëmshpërblim austriakëve të OeSD-së.

http://kallxo.com/rexhepi-buxheti-nuk-eshte-demtuar-ne-rastin-velija/

Këta të fundit, përmes postës elektronike për KALLXO.com, thanë se faturat e papaguara ishin arsyeja që e çuan rastin në arbitrazh.

“Kërkesa për faturat e papaguara dhe dëmi i pësuar për shkak të ndërprerjes së paarsyetuar të kontratës”, thuhet në përgjigjen e Jasmin Rader nga OeSD-ja për KALLXO.com.

Rader gjithashtu përmend edhe vendimin për dënimin e Natali Veliajt duke thënë se ky vendim nuk ishte i zbatueshëm për shkak të mungesës së aseteve të Veliajt.

Rader në fund përkundër përvojës jo të mirë me Kosovën në tenderin për prodhimin e pasaportave, nuk e përjashtoi mundësinë për të punuar përsëri me kosovarë, duke thënë se aktualisht nuk kanë asnjë projekt në Kosovë.

Lëshime në kontratë

Kontrata 14-milionëshe e nënshkruar nga Ministria e Punëve të Brendshme duket se nuk është analizuar siç duhet. Një “gabim teknik” i bërë në kontratë nga MPB-ja mund t’i kushtojë miliona euro buxhetit të Kosovës.

KALLXO.com ka gjetur se kontrata e nënshkruar në mes të OeSD-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës nuk e ka sqaruar nëse mosmarrëveshjet eventuale mund të zgjidhen edhe nga arbitrazhi.

“Nëse ka ndonjë mosmarrëveshje e cila nuk mund të zgjidhet brenda 30 ditësh nga fillimi i procedurës miqësore për zgjidhjen e mosmarrëveshjes, palët mund të kërkojnë a) ose vendim nga gjyqi ose b) vendim nga arbitrimi, në pajtim me kushtet e veçanta të kësaj kontrate”, thuhet në dispozitën e kontratës.

Është avokatit Nushi, i cili tregon përmbajtjen e “kushteve të veçanta” të kontratës. Aty është lënë hapësira e zbrazët për t’u plotësuar për gjykatën kompetente për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, apo arbitrazhin. Në kontratë, sipas Nushit është plotësuar opsioni tek gjykata duke u përcaktuar Gjykata Themelore e Prishtinës si institucion për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Ai shpjegon se opsioni i arbitrazhit nuk u fshi si opsion, por as nuk u përcaktua se cili institucion i arbitrazhit mund ta zgjidh kontestin eventual.

“Tek kushtet e veçanta në vendin e zbrazët…alternativën e arbitrazhit nuk e kanë rrethuar por as nuk e kanë fshirë fare dhe ajo ka mbetur dhe ka krijuar huti tek arbritrat, sepse na është thënë se nëse kanë vendosur për gjykatën lokale, pse e kanë lënë aty edhe arbitrazhin dhe pse nuk e kanë fshirë”, thotë Nushi për KALLXO.com.

Avokati Gazmend Nushi, i cili përfaqësoi këtë ministri në arbitrazh, thotë se ato forma të kontratës kanë qenë standarde.

“Ne (lidhur me klauzolën e arbitrazhit) jemi interesuar në ministri dhe kemi debatuar shumë gjatë. Sipas njoftimeve që kemi marrë prej ministrisë këto janë kontrata forma e të cilave përcaktohet prej KRPP-së dhe ata i kanë caktuar format dhe asnjëherë s’ka pasur problem të tillë. Është menduar nëse plotësohet njëra pa e plotësuar tjetrën dihet se ajo e plotësuara është valide, çka edhe ish dashtë me qenë, por tek arbritrat vetë fakti i përmendjes së arbitrazhit pa e përcaktuar institucionin e arbitrazhit kanë vendosur ashtu”, tha Nushi.

“Gazeta JnK” lidhur me kontratën për prodhimin e pasaportave i ka dërguar pyetje edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, por në përgjigjen e tyre nuk jepen detaje përpos sugjerimit se duhet t’i referohemi procesit të gjykimit.

“Ju lutem që t’i referoheni vendimit të gjykatës dhe procesverbaleve të gjykimit, në të cilat janë dhënë të gjitha përgjigjet që mund të jenë rreth këtij procesi”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim pranë MPB-së.

“Gazeta JnK” ka kërkuar një interpretim ligjor edhe nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, i cili është përgjegjës për interpretimin e akteve ligjore e nënligjore në fushën e prokurimit.

KRPP-ja ka thënë se në dosjet e tenderëve si akt dytësor të prokurimit, te kushtet e përgjithshme është draft-kontrata standarde. Në nenin 20 të dosjeve standarde të tenderëve parashihet zgjidhje miqësore e mosmarrëveshjeve dhe rastet kur zgjidhja mund t’i kalojë një institucioni tjetër.

KRPP-ja thotë se palët duhet të vendosin në mes të gjykatave apo arbitrimit.

“Nëse nuk mund të arrihet zgjidhje brenda 30 ditësh nga fillimi i procedurës miqësore për zgjidhje të mosmarrëveshjes, secila palë mund të kërkojë: vendim nga gjyqi ose kurdo që palët pajtohen, vendim arbitrimi në pajtim me Kushtet e Veçanta të Kontratës”, thuhet në nenet e cituara nga KRPP-ja. “Para nënshkrimit te kontratës palët duhet te vendosin për mënyrën e zgjidhjes se mosmarrëveshjes, gjykata apo arbitrimi.”

Tutje KRPP-ja ka dhënë sqarime për mënyrën e plotësimit të Kushteve të Veçanta të Kontratës (KVK).

“Autoriteti Kontraktues në kontratë duhet që në Kushtet e Veçanta të Kontratës të specifikojë se cilës gjykatë kompetente mund t’i drejtohet pala e pakënaqur, ose kurdo që palët pajtohen vendim arbitrimi dhe për këtë kërkohet që para nënshkrimit të kontratës palët duhet të vendosin për mënyrën e zgjidhjes se mosmarrëveshjes, gjykata apo arbitrimi”.

Nushi thotë se edhe Ligji për Investimet e Huaja nuk është në favor të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ky ligj, sipas tij, u jep përparësi investitorëve të huaj që të zgjedhin mënyrën e zgjidhjes së kontesteve.

Historiku i skandalit të pasaportave

Gjithçka nisi më 5 nëntor 2010 kur Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës publikoi një njoftim për kontratë në lidhje me furnizimin me pasaporta biometrike.

http://kallxo.com/tenderi-qe-njollosi-pasaporten-e-shtetit/

Tenderi kryesor u hap në shkurt të vitit 2011 dhe në maj të të njëjtit vit, OeSD-ja u njoftua se kishte fituar tenderin.

Tenderi për prodhimin e pasaportave biometrike të kosovarëve, me vlerë prej 14 milionë e 127 mijë e 3.24 euro u nënshkrua në datën 17 qershor të vitit 2011.

Në fillim dukej si një nga qindra tenderë tjerë që i japin institucionet për kompanitë e vendit dhe të huaja, por shumë shpejt u kthye në skandal që krijoi një lëmsh në qeveri e gjykatë.

Ishte paraparë të ishte njëri ndër hapat kryesorë që do të plotësonte kërkesën e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, por doli të jetë një nga skandalet më të mëdha dhe më të përfolura në Kosovën e pasluftës dhe vetëm liberalizimit të vizave nuk i kontribuoi.

Krahas procesit civil, të cilin Kosova e humbi në arbitrazh, lidhur me këtë rast është mbajtur edhe një proces gjyqësor i cili ka përfunduar në shkallë të parë në dhjetor të vitit 2014.

Si pjesë e këtij procesi, Natali Velija, ishte dënuar me 12 vjet burg nga Gjykata Themelore e Prishtinës për veprat penale: krim i organizuar, pastrim i parave dhe mashtrim, ndërsa më pas ky dënim nga Gjykata e Apelit i ishte ulur në 8 vjet burgim për dy vepra penale – mashtrim dhe pastrim i parave.

Edhe të akuzuarit tjetër Fisnik Blakaj, i cili ishte dënuar me 11 vjet burg fillimisht, i është zbutur dënimi nga Gjykata e Apelit. Tani, ai do të vuajë 6 vjet burg për veprën penale të pastrimit të parave.

Dënimet për veprën penale të pastrimit të parave u janë zbutur edhe të dënuarve të tjerë, Betim Blakajt, Ergyn Doganit, Imer Fazlisë dhe Nazmi Thaqit.

Nazmi Thaqi dhe Betim Blakaj janë dënuar me nga një vit burgim, ndërsa Imer Fazlija me dy vjet, e Ergyn Dogani me pesë vjet burgim.

Jakup Blakqori dhe Sefedin Shala u shfajësuan nga vepra penale për të cilën akuzoheshin – pranim i mallrave të vjedhura.

Përkundër se në krejt këtë proces autoriteti kontraktues që inicioi, zhvilloi, mbikëqyri (ose të paktën do të duhej ta mbikëqyrte) tërë procesin e realizimit të këtij projekti dhe në fund shkëputi kontratën e cila qytetarëve të Kosovës do t’u kushtojë për 5 milion euro më shumë, asnjë zyrtar i ministrisë nuk është gjykuar deri më tani.