Ministria e Shëndetësisë - Foto: KALLXO.com

Anulohet konkursi për pozitë në 'SISh' të Ministrisë së Shëndetësisë

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, ka marr vendim që të anulojë konkursin për pozitën Udhëheqës i Divizionit të Mbikëqyrjes së Funksionimit Operativ të SISH në Departamentin e Sistemit të Informimit Shëndetësor, të publikuar me datë 26 mars 2019.

BIRN kishte monitoruar procesin e rekrutimit për pozitën në fjalë.

Për pozitë në SISH kishin aplikuar 7 kandidatë, prej të cilëve 3 kishin hyrë në listë të ngushtë.

Ndërkaq procesi i testimit me shkrim të ishte mbajtur vetëm me 2 kandidatë, në mungesë të kandidatit tjetër, i cili nuk ishte paraqitur për t’iu nënshtruar testit.

Kurse gjatë fazës së intervistimit, kandidati i cili më pas ishte më i potentuari, kishte njoftuar Komisionin vlerësues se në rast se përzgjidhet për këtë pozitë, nuk do të mund ta pranonte atë për shkak të mungesës së shtesave në pagë.

Në anën tjetër, në arsyetimin e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se pas përfundimit të procedurës së rekrutimit dhe përfundimit të afatit të ankesave, “kandidati i përzgjedhur në këtë pozitë, nuk është i interesuar të lidhë kontratë me Ministrinë e Shëndetësisë në këtë pozitë për arsye personale”.

Ndërsa, sipas njoftimit kandidati tjetër i radhës nuk e kishte kaluar 60 përqindëshin e mundshëm për t’u emëruar në shërbim civil.

“Pala e pakënaqur mund të bëjë ankesë brenda afatit prej 30 ditësh në Komisionin e Ankesave në Ministrinë e Shëndetësisë”, thuhet në vendimin e datës 18 qershor 2019.