Ambasadori ziceran: Nëse preken kufijtë në Ballkan do të jeni në telashe

Jean Hubert Leber, ambasador i Zvicrës në Kosovë tha sot se vendi i tij e mbështet iniciativën e Gjermanisë dhe të Francës në raport me dialogun Kosovë – Serbi.

Hubert Leber këto deklarata i bëri sot në diskutimin “Dialogu Kosovë – Serbi pas Samitit të Berlinit” të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, ku po merr pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile.

“Samiti i Berlinit ka konfirmuar rëndësinë e palëve në mënyrë që të arrihet një marrëveshje ligjore. Zvicra mbështet këtë qasje dhe mirëpret iniciativën e Gjermanisë dhe Francës. Ndryshimi i kufijve nuk funksionon nuk ka funksionuar asnjëherë, nëse lëvizin kufijtë arsyet e konfliktit nuk do të zgjidheshin, nëse në Ballkan prekni kufijtë do të jeni në telashe, është mirë që edhe samiti i Berlinit konfirmoi këtë”, tha ambasadori zviceran.

Ndërsa, kryeministri Ramush Haradinaj, tha se përfshirja e palëve të treta në procesin e marrëveshjes gjithëpërfshirëse Kosovë – Serbi është e nevojshme.

“Çfarëdo procesi zgjidhja për marrëveshjen gjithëpërfshirëse merr kohë dhe përfshirja e palëve të treta është e nevojshme. Në Paris shpresojmë se të gjitha palët do të formulojnë masa të reja. Nuk po bëhet fjalë vetëm për fatin e partive politike të Kosovës, por jemi një Kosovë edhe atyre që janë në pushtet edhe atyre që janë në opozitë. Kosova është shtëpia e të gjithë neve dhe është mirë që debati të kaloj edhe në tavolinën e juaj dhe jo vetëm tonën si parti politike e si institucione”, tha Haradinaj.

Ai tha se nuk duhet harruar se edhe Kosova është Evropë dhe se deri më tani pala kosovare e ka dëshmuar se është e përkushtuar që të shkohet nga e ardhmja.

“Mos të harrojmë që ne jemi Evropë, Kosova është Evropë si gjeografi, si popull si identitet. Unë jam shqiptar po shteti im është Kosova, edhe një serb që ka lindur në Kosovë shtet e ka Kosovën. Unë mendoj që kjo është me rëndësi që kjo me u kuptu sidomos prej serbëve te Kosovës. E vërteta që e kaluara është telashe, nënkupton tragjedi, dhimbje e shume çka tjetër. Unë besoj që në Kosovë jemi të interesuar për paqe, jemi të interesuar me kalu në ardhmëri, unë besoj që kjo është dëshmu në kuadër të dialogut”, deklaroi kryeministri i qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Sipas Haradinajt pozicioni i kujtdo për heqjen e taksës është i gabuar.

“Është gabim pozicioni i Uashingtonit, Parisit, Berlinit, me ja qit kusht Kosovës heqjen e taksës, ne jemi për marrëveshje të paqes, por duhet të vërtetohet e vërteta. Qe 20 vjet Kosova humb 50 milionë euro për energjinë për shkak të Serbisë. Pas listës së Trump Kosova nuk ka marrë asnjë masë, dhe nuk do të ndërmarrim masa të reja, por ne e kemi problem sjelljen e Beogradit që i ndalon zyrtarët në kufi”, tha ai.

Haradinaj tutje deklaroi se Kosova nuk ka interes që të preken kufijtë e 17 shkurtit.

“Ne nuk kemi interes me e hap Kosovën e 17 shkurtit se këtë e ka mbyll GJND-ja. Ata që propozojnë marrëveshje me kufijtë janë t`u e bo me qëllim me e shti Ballkanin në jostabilitet edhe dy dekada. Platforma e votuar në parlament dhe delegacioni është një hap përpara unë kam propozuar që në Parisë duhet me shku edhe Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj”, tha Haradinaj.

I  pari i qeverisë, Ramush Haradinaj, tha se përkundër vrasjes së njerëzve nga pushtetet e kaluara, kufijtë nuk janë prekur.

“Ka net që më ka dalë gjumi natën prej frikës që do të shkoj në gabim dhe do të shtymi ne, kush kujt po ja luan mezhdën tonë. Kujtojmë që Tito ka qenë një lider i mirë, ai ka vra qindra mijëra serbë pas Luftës së Dytë në Beograd edhe dihen ka të dhëna, 5 mijë shqiptarë në Mal të Zi, supozohet që i ka vra mbi 1 milion njerëz dhe pas vrasjes së këtyre njerëzve kanë mbijetu këta kufij që janë sot. Dhe është paguar një çmim i madh për këta kufij që sot nuk janë perfekt”, tha Haradinaj.