Ambasadori i Gjermanisë- Heldt: Dialogu Kosovë-Serbi është zhvilluar në mënyrë shumë diskrete

Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur organizoi tryezën “ Negociatat Kosovë- Serbi: Një qasje racionale?”, e cila është në vazhdën e ciklit të Forumit 2015.

Veton Surroi prezantoi paradigmën e re në negociatat Kosovë- Serbi, “Kanti, lopa e makiatos dhe një paradigmë e re në negociatat Kosovë Serbi”, ku tha se natyra e marrëdhënieve Kosovë- Serbi duhet të modifikohet dhe duhet të përfundojë konflikti në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Shumë herë na është përsëritur se negociatat në Bruksel nuk kanë alternativë, çështja është se alternativat kanë nevojë të përcaktohen. Alternativa ndaj kësaj qasje konceptuale është e thjeshtë, duhet të modifikohet natyra e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, dhe kur jemi këtu motivi themelor, i cili duhet ta shtyjë Kosovën drejt një marrëveshje me Serbinë dhe të përfundojë konflikti ndërmjet Kosovës e Serbisë. Aderimi në NATO, anëtarësimi në BE dhe në OKB janë shumë të rëndësishme. Arsimi i vajzave në Kosovë mund të krahasohet me atë të vajzave në Afganistan. Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka sigurime shëndetësore dhe mu për këto arsye duhet të përfundojë konflikti me Serbinë”, tha Surroi.

Ambasadori i Gjermanisë, Christian Heldt nuk i komentoi opsionet të cilat u votuan nga pjesëmarrësit ku alternativa “Kurrfarë shkëmbimi territorial, por themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke respektuar plotësisht Kushtetutën e Kosovës”, e votuan 52.9 për qind.

Ai tha se qëndrimi i qeverisë gjermane është i njëjtë dhe i pandryshueshëm.

“Unë nuk dua të komentoj për këto rezultate pasi qëndrimi i qeverisë sime është i njëjtë dhe i pandryshueshëm, i cili ka të bëjë me një zgjidhje të qëndrueshme dhe një paqeje në rajon. Këto tema janë të diskutuara publikisht. Unë nuk dua të komentoj sepse kjo është çështje e kosovarëve dhe serbëve. Duhet të kemi një vizion më të gjerë strategjik. Ne të gjithë jemi të anëtarësuar në BE dhe kurdo që kjo të ndodhë, ideja themelore është që të gjitha shtetet të punojnë së bashku në BE” tha Heldt.

Ai poashtu tha se temat të cilat janë biseduar në Bruksel kanë qenë diskrete dhe se ai është për një qasje pozitive për arritjen e një marrëveshjeje.

“Unë vërtetë do të avokoja për një qasje pozitive se si të zgjidhen me një qasje pozitive pengesat në të cilat po kaloni. Në masë të madhe varet se për sa substancë është folur. Ne nuk i dimë cilat kanë qenë temat e bisedimeve, ky është një proces që është trajtuar në mënyrë shumë diskrete. Ne e mbështesim plotësisht dialogun. Mirëpo në lidhje me hollësitë palët që janë të përfshira në këtë mund të japin një kohë se kur do të zgjidhet”, shtoi Heldt.