Heldt nga Krusha: Kjo është Kosova në të cilën besoj

Ambasadori Gjerman në Kosovë, Christian Heldt ka vizituar gjatë ditës së sotme Krushën e Madhe.

Përmes një postimi në Twitter, Heldt është shprehur mirënjohës që vizitën e tij të fundit e ka pasur në Krushë.

“Mirënjohës munda të bëj vizitën time të fundit në terren sot, te partneri unik i një kohe të gjatë “KB Krusha” drejtuar nga gratë e mahnitshme të Krushës. Pas zjarrit në ambientet e kompanisë shtatorin e kaluar, Ambasada Gjermane dhe GIZ dhuruan më shumë se 100 mijë euro për riparime”, thuhet në postimin e Heldt.

Ai ka treguar edhe arsyje pse ka vizituar Krushën gjatë ditës së sotme.

“Erdha për të admiruar dhe respektuar njerëzit këtu, Fahrijen dhe zonjat tjera e bëjnë këtë përkundër të gjitha mosmarrëveshjeve, traditave, xhelozive dhe kërcënimeve. Ata bënë që Krusha dhe rrethina të punojnë dhe të krijojnë një histori të re suksesi pas tmerreve të kaluara”, ka shkruar Heldt.

Ai ka bërë të ditur se kompania në Krushë, është duke u zgjeruar akoma duke punësuar gra të tjera.

” Të sigurtë, modest, punëtor dhe plot energji. Do të vazhdoj të ju promovoj dhe tregoj histori kur të kthehemi në  Gjermani Kjo është Kosova në të cilën besoj. Kënaqësi dhe nder të jem në anën tuaj në këtë”, ka shkrur Heldt.