Kyle Randolph Scott, ambasador i SHBA-së në Beograd - Foto: Rtv21

Ambasadori amerikan kërkon kompromis nga Kosova e Serbia

Serbia dhe Kosova do të fitojnë vetëm atë për të cilën dakordohen në dialog, tha të premten ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Beograd, Kyle Scott.

I pyetur se cili është maksimumi që mund të fitojë Serbia nga bisedimet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Scott tha se SHBA “vetëm i inkurajon të dyja palët të bëjnë dialog”.

“Ne i inkurajojmë të dyja palët të vijnë deri te kompromisi, sepse pa të nuk ka marrëveshje”, u tha Scott gazetarëve ne Beograd, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Presidentët e Kosovës dhe të Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar më 24 qershor rrethin e fundit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Me këto bisedime, që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian, synohet të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme për normalizimin e raporteve.