I Akuzuari për Terrorizëm: Këmba Ime Nuk ka Shkelë në Siri

Fisnik Bushi këmbënguli edhe sot në gjykatë se nuk ka qenë asnjëherë në Siri, sado që Prokuroria Speciale e Kosovës e akuzon se ai e bëri këtë me qëllim “që t’i bashkohej ISIS-it”.

“Këmba ime asnjëherë në asnjë formë nuk ka shkelur në Siri”, tha Bushi duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të tij mbrojtës Adem Ademi.

Bushi po akuzohet se më 29 maj 2013 nga Aeroporti i Prishtinës ka udhëtuar për në Stamboll e nga aty në qytetet Kilis dhe Gazientep. Pas disa ditëve të qëndrimit aty, ai akuzohet se ka kaluar kufirin për në Siri.

Gjithnjë sipas aktakuzës së Prokurorisë, Bushi në Siri ishte i vendosur në një qendër stërvitore ku i ka kryer stërvitjet me armë ku ka qëndruar deri më datë 5 korrik 2013 kur është kthyer në Kosovë.

Ndryshe nga prokuroria, Bushi në përgjigjet e tij tha se asnjëherë nuk ka qenë në Siri ndërsa ka qëndruar në një kamp të refugjatëve për t’i ndihmuar ata.

“Unë kam qëndruar në një kamp të refugjatëve në Turqi ku i kemi ndihmuar refugjatët me ndihma e ushqime e veshmbathje”, tha Bushi.

Ai mohoi që shkuarja e tij në Turqi të ishte bërë për motive fetare.

“Unë atje kam shkuar për qëllime humanitare, unë ndihmoja me shpërndarjen e ushqimeve për refugjatët që vinin nga Siria në Turqi”, tha Bushi.

http://kallxo.com/bushi-nuk-luftova-per-isis/

Bushi tha se ishte i evidentuar në një organizatë humanitare që nuk ja dinte emrin por që si shenjë identifikuese kishte një jelek me iniciale “ICC”.

I pyetur nga Prokurori Ali Rexha se a kishte bërë ndonjëherë përpjekje për t’u pajisur me ndonjë kartë identiteti që dëshmon se ai ishte pjesë e organizatës humanitare, Bushi u përgjigj se asnjëherë nuk i ka shkuar mendja se do të mund të ishte i akuzuar për terrorizëm.

Bushi më pas tha se në asnjë formë asnjëherë nuk e ka përkrahur terrorizmin dhe se ai ka mirëkuptim dhe tolerancë edhe për religjionet tjera.

Prokurori më pas e pyeti Bushin se çfarë ishin ushqimet që shpërndanin në kamp, cili ishte paketimi i tyre, kush ishte donatori i ndihmave dhe sa ishte pesha e pakove ushqimore që shpërndaheshin, mirëpo përgjigja e Bushit ishte e shkurtër.

http://kallxo.com/shtyhet-seanca-e-te-akuzuarve-per-terrorizem-2/

“Ne shpërndanim ushqime të konservuara, aty kishte edhe mjete higjienike ndërsa për paketimet e peshën nuk më kujtohen”, tha Bushi.

Anëtarja e trupit gjykues, Afërdita Bytyqi, e pyeti të akuzuarin se si ishte procedura e anëtarësimit në atë organizatë humanitare.

“Unë kam pyetur dhe kam shkuar drejt e në kampin humanitar, aty më kanë thënë të takohem me një person më të lartë, jam takuar me të, i kam treguar se kam ardhur si vullnetar për të ndihmuar refugjatët dhe pastaj më ka thënë se mundem”, tha Bushi.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, e ballafaqoi Bushin me disa komunikime përmes SMS-ve, për të cilat prokuroria pretendon se dëshmojnë se ai ishte në Siri. Por Bushi deklaroi se nuk ka përgjigje për ato komunikime.

Më dhënien e dëshmisë së Fisnik Bushit, përfundoi procedura e provave, pasi që seancën e kaluar në pyetje ishin marrë të akuzuarit, Emri Bushi dhe Fitim Dema.

Seanca për dhënien e fjalës përfundimtare në këtë rast u caktuar në muajin janar.

Xhihadi i Imam Qazimit