Sami Lushtaku. Foto: Arkiv (Kallxo.com)

Aktakuza: Mjekët Bënë Raporte False për Lushtakun

Kapitull të veçantë në aktakuzën e tij voluminoze me të cilën ngarkoi 24 persona lidhur me rastin e arratisjes së Sami Lushtakut nga QKUK, prokurori Romulo Mateus i ka kushtuar edhe veprimeve të disa doktorëve, të cilët sipas aktakuzës i mundësonin Lushtakut favore me anë të raporteve false mjekësore.

Sipas aktakuzës, Sami Gjoka doktor në QKUK, si dhe Nexhib Shatri, doktor në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë, së paku nga 2 janari 2014 kanë lëshuar raporte false mjekësore dhe kanë kërkuar ekzaminime mjekësore në emër të Sami Lushtakut që ishte në paraburgim në rastin e njohur si “Drenica 1”.

“Të akuzuarit duke e ditur se Sami Lushtaku ishte në paraburgim, me qëllim kanë krijuar kushte të rrejshme mjekësore në raportet e tyre me qëllim që t’i mundësojnë transfere të rregullta mjekësore në spital, ku ai kishte dukshëm kufizime më të vogla dhe kishte të mundur të evitonte mbikëqyrjen dhe eventualisht të ikte”, përshkruhet në aktakuzën e prokurorit Mateus, të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

http://kallxo.com/aktakuze-gjigante-per-arratisjen-e-sami-lushtakut/

Prokurori pretendon se me këto veprime doktorët e akuzuar në këtë rast kanë kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Mateus më tej pretendon se çështja e tretmanit mjekësor të Sami Lushtakut u bë pjesë e aktakuzës për disa arsye.

“Profili jo i zakonshëm i kujdesit mjekësor që iu ofrua Sami Lushtakut (dhe të akuzuarve të tjerë të rastit), qëndrimet e zgjatura në spital, terapitë e përsëritura jobindëse që kërkonin prezencën e tij jashtë Qendrës së Paraburgimit,  shpejt e tërhoqën vëmendjen e prokurorit dhe gjyqtarëve në rrjedhën e hetimit dhe gjykimit të rastit ‘Drenica1’”, thuhet në aktakuzë.

Prokurori gjithashtu pretendon se njohjet e doktorit Gjoka me Sami Lushtakun ishin të njohura për publikun që nga koha e luftës pasi që Gjoka ishte doktor i UÇK-së në luftë.

Mateus pretendon në aktakuzë se nënshkrimi i doktorit Gjoka nga 1 korriku i vitit 2015 mund të shihet të paktën në pesë data të ndryshme në dokumentet mjekësore lidhur me Sami Lushtakun.

“Më 14 gusht 2015 Sami Lushtaku u kontrollua nga Sami Gjoka, i cili i përshkroi disa ekzaminime të ndryshme mjekësore dhe i rekomandoi trajtime tjera, veçanërisht teste  ekokardiogrami për datën 18 gusht 2015 dhe test-ergometrin më datë 21 gusht 2015. Më 21 gusht 2015 në orën 8:55 Policia e EULEX-it mbikëqyri Sami Lushtakun kur ai u nis nga Dubrava i shoqëruar nga tre oficerë korrektues. Ai shkoi drejt nga Dubrava në shtëpinë e të afërmes së tij në Dragodan/Arbëri”, përshkruan Mateus në aktakuzën e tij.

Pra, prokurori duke iu referuar mbikëqyrjes së Sami Lushtakut nga Policia e EULEX-it pretendon se dokumenti i nënshkruar nga Sami Gjoka më 21 gusht 2015 është i falsifikuar, pasi që eskorta përcjellëse e Lushtakut nuk shkoi atë ditë fare në QKUK.

“Përkundrazi, Avni Lushtaku shkoi në QKUK dhe e takoi Sami Gjokën. Sami Lushtaku shkoi tek shtëpia e të afërmes së tij në Dragodan/Arbëri dhe pastaj shkoi në Skenderaj. Kjo e shpjegon se pse testi i ergometrit u ricaktua për datën 28 gusht 2015 dhe një ekokardiogram shtesë më datë 25 gusht 2015”, thuhet në aktakuzën e prokurorit Mateus.

http://kallxo.com/negociatat-e-ratelit-per-dorezimin-e-lushtakut/

Përveç doktorit nga QKUK, prokurori pretendon se edhe Nexhib Shatri i bëri favore mjekësore Sami Lushtakut gjatë qëndrimit të tij në Qendrën e Paraburgimit në Dubravë.

Prokurori Mateus përmend se sipas akteve ligjore te paraburgosurit së pari duhet të trajtohen në qendrën e paraburgimit, së dyti në institucionet mjekësore në afërsi të qendrës dhe së treti duhet të konsiderohet edhe QKUK-ja në Prishtinë.

“Sidoqoftë më 23 shtator 2013, i akuzuari i drejton një kërkesë drejtorit të Dubravës duke thënë se pas konsultimit me Ismail Avdimetaj, kardiolog në Spitalin e Pejës, ishte informuar se testi i ergometrisë që kërkohej për Sami Lushtakun nuk mund të bëhej në Pejë, pasi që pajisjet ishin jashtë përdorimit. Ai shtoi se Sami Lushtaku veçse ishte pacient i kardiologut Sami Gjoka në QKUK”, përshkruan Mateus veprimet e Shatrit.

Prokurori i EULEX-it më tej thotë se Shatri duke vepruar si më lartë praktikisht shmangu që Sami Lushtaku të trajtohej në Prishtinë në QKUK.

Javën që lamë pas prokurori i EULEX-it Romulo Mateus ngriti aktakuzë ndaj 24 persona lidhur me rastin e arratisjes së Sami Lushtakut nga QKUK-ja.

Edhe Gjoka dhe Shatri kanë mohuar në deklaratat e tyre të dhëna në procedurë paraprake se i kanë bërë ndonjë favor Lushtakut.

KALLXO.com ka sjellë një seri të raportimeve lidhur me përmbajtjen e aktakuzës.

Arratisja e Lushtakut e Emëroi Thaqin Drejtor Burgu

Para e Banesa për Blerjen e Dëshmitarëve për Grupin ‘Drenica’