Ilustrim

Aksident fatal në Merdare, vdes një person dhe tetë të tjerë lëndohen

Një aksident me fatalitet ka ndodhur në fshatin Merdare, ku një person 39 vjeçar ka mbetur i vdekur dhe tetë të tjera janë lënduar.

Policia e Kosovës njofton se aksidenti ka ndodhur sot rreth orës 02:00 të mëngjesit, në rrugën Prishtinë –Podujevë, saktësisht në fshatin Merdare.

Sipas PK-së në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy vetura të cilat ishin në lëvizje, vetura e tipit “Passat”, , me targa të huaja (gjermane) dhe vetura e tipit “Audi 80”, me targa të Republikës së Kosovës.

“Si pasojë e këtij aksidenti janë lënduar nëntë persona, njëri prej të cilëve nuk ka arrit të përballojë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe i njëjti në vend ngjarje ka ndërruar jetë, bëhet fjalë për viktimën: B. S. 39 vjeç, mashkull, shtetas Kosovar, (vozitësi i veturës Audi), vdekja e të cilit është konfirmuar nga ana e ekipit mjekësor në vendngjarje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Trupi i pajete i viktimës është dërguar në Institutin e mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa personat e tjerë të lënduar, janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.