Shpend Ahmeti. Foto: Kallxo.com

Ahmeti: Nuk kam menduar se VV do të bashkohej me LDK e PDK

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar pas shkarkimit të një aksionari nga rradhët e partisë së tij në Komunën e Prishtinës.

Ai akuzoi ish-partinë e tij , Lëvizjen Vetëvendosje se është bërë bashkë me pjesën tjetër të opozitës për të bërë këtë shkarkim.

“Nuk kam menduar asnjëherë që VV do të bëhet bashkë me LDK e PDK në Prishtinë për të shkarkuar një aksionarë dhe pastaj në mënyrë jubilante të fotografohen me ata që deri dje thonin se e shkatërruan qytetin. Përkundër dallimeve, për neve është e qartë kush ka bërë dëm në qytet e kush e ka luftuar krimin. Po ashtu është e qartë se kush duhet të bart përgjegjësi për keqqeverisjen në shtetin tone”, shkroi Ahmeti.

Ai megjithatë tha se nuk kanë inati por se do të punojnë për të zbatuar programin e tyre.

“Ne vazhdojmë në betejen për të miren e qytetit dhe nuk kemi inate. Smira e inati nganjëherë verbërojnë por mbetet në ndërgjegjen e atyre që lidhen edhe me të keqin për të dëmtuar mirëqenien.Programi jonë 100 pikësh do të zbatohet deri në shkronjen e fundit!”, tha Ahmeti.