Shpend Ahmeti, kryetar i Komunës së Prishtinës. Foto: KALLXO.com

Ahmeti: Mungesa në Seancë Tallje me Qytetarë

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti mungesën e PAN-AKR në seancë e ka quajtur tallje me qytetarë.

Në rrjetin social Facebook, Ahmeti ka shkruar se ishte PAN-i që kërkoi seancën.

“Qysh bre me thirrë seancën mas krejt atyre nënshkrimeve të koalicioneve e deklaratave pompoze e mos me ardhë në seancë vetë. Kjo është e papranueshme, sepse është tallje me qytetarë”, ka shkruar Ahmeti.

Kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci për shkak të mungesës tjetër të deputetëve të PAN dhe AKR-së para disa minutave shtyu përsëri seancën për orën 14:00.

“Deputetë të nderuar jam i detyruar që të ju them një lajm. Koalicioni PAN ka kërkuar që mbledhja të fillojë në orën 10:00. Unë e kam caktuar seancën në orën 11:00, na po i presim tash kanë kaluar afër 20 minuta, kështu që po e ndërpres punën e kësaj seance tash për tash dhe e vazhdojmë seancën në ora 14:00”, tha kryesuesi.

Ai kërkoi falje duke u arsyetuar se “nuk ka çka të bëjë”.

Që nga 3 gushti, Kuvendi ende në rend dite ka zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të tij, meqë koalicioni PAN si subjekti më i votuar në zgjedhje ende nuk ka dhënë kandidat për kryetar të Kuvendit për shkak të pasigurisë në vota.