Takimi i ekipit negociator ne Bruksel - 08.01.2019

Ahmeti e Limaj nga Brukseli deklarohen për taksën ndaj Serbisë

Kryesuesit e ekipit negociator për dialogun Kosovë-Serbi, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti janë deklaruar pas takimit që kanë pasur me ndërmjetësuesen e dialogut mes dy vendeve Federika Mogherinin.

Shpend Ahmeti duke komentuar deklaratën e presidentit Hashim Thaçi për gatishmërinë që Kosova ta heqë taksën ndaj Serbisë, tha se taksa nuk është vendim i delegacionit por është i qeverisë.

“Është e qartë edhe për BE-në që taksa nuk hiqet në të thatë. Është shumë e qartë. Taksat janë i vetmi mjet që Kosova e ka si politikë e jashtme për të bërë presion ndaj Serbisë. Zonja Mogherini e përmendi që kjo nuk është në frymën e dialogut dhe se duhet të krijohet klima, e ne i thamë që Kosova nuk është ajo që e ka krijuar këtë klimë gjatë muajve të tërë të një fushate tepër agresive që kulmoi me fushatën në Interpol”, theksoi Ahmeti.

Ndërsa edhe Fatmir Limaj deklaroi se duhet të pushojnë arsyet për heqjen e taksës.

“Kjo nuk është e njëanshme. Në kushte të tilla ne jetojmë qe 10 vjet e më tepër me Serbinë dhe askush nuk është lodhë me atë punë. Ka qindra gjëra që Serbia nuk i ka respektuar. Ne tani jemi në një moment kut të gjithë duhet ta krijojmë klimën për dialog, jo vetëm Kosova. Në një marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk do të ketë më nevojë për taksë. Marrëdhëniet Kosovë- Serbi janë jonormale dhe ne kemi ardhur këtu dhe dialogu është për të krijuar një situatë normale dhe situata normale është reciprociteti mes dy vendeve tona”, shtoi Limaj.