AGK reagon ndaj largimit nga puna të dy punëtorëve të ‘Radio Dukagjini’

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shprehur shqetësim për mënyrën e largimit nga puna të dy punëtorëve, Arben Rexhepi dhe Ervin Behluli, të cilët punonin në RTV Dukagjini.

Sipas njoftimit të AGK-së, këta të dy kanë punuar prej rreth 20 vitesh në RTV Dukagjini dhe ishin pjesë e stafit themelues të kësaj medie.

“Dy punëtorët u njoftuan për shkëputje të kontratës, përmes një emaili nga drejtori i këtij mediumi, Ermal Panduri pa arsyetime të qarta dhe pa u respektuar afatet kohore të përcaktuara me Ligjin e Punës, në rast të shkëputjes së marrëdhënies së punës.AGK konsideron se mënyra e largimit të tyre nga puna është shkelje e rëndë e të drejtave të punëtorëve dhe njëkohësisht rëndon edhe më shumë ambientin në të cilin punojnë gazetarët në Kosovë”, thuhet në njoftim.

AGK poashtu ka kërkuar pergjigje nga drejtori i RTV Dukagjinit z. Panduri rreth procedurave ligjore të ndjekura me rastin e largimit nga puna e dy punëtorëve në fjalë, mirëpo deri më tani nuk ka marrë shpjegim nga ana e tij.

“AGK kërkon nga drejtuesit e RTV Dukagjini që t’i shfuqizojnë këto vendime, në mënyrë që dy punëtorët e larguar të kthehen sa më parë në vendin e tyre të punës. Në të njejtën kohë AGK kërkon nga Inspektorati i Punës që në një afat sa më të shkurtër kohor, t’i shqyrtojë rastet në fjalë”, thuhet tutje në njoftim.