Gazetare e kameramane me maska duke filmuar ne Sherbimin Infektiv ne Qendren Spitalore Universitare Nene Tereza, QSUT, i cili eshte kthyer ne karantine

AGK ka raportuar 22 raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe mediave

22 raste të atakimeve në drejtim të gazetarëve dhe mediave në Kosovë i ka raportuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) deri në nëntor të këtij viti.

AGK përmes një shkrimi në Facebook ka njoftuar se këto raportime i ka bërë në kuadër të kornizës së vlerësimit të katërt të nivelit të lirisë së mediave dhe të sigurisë së gazetarëve.

Ndërkaq, përgjatë vitit 2019, janë raportuar gjithsej 21 raste në drejtim të gazetarëve dhe mediave.

Liria e shprehjes dhe ajo e mediave janë të garantuara me Kushtetutë.

Neni i 40 i Kushtetutës së Kosovës garanton lirinë e shprehjes duke përfshirë të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush.

Ndërsa, paragrafi i dytë i këtij neni kufizon lirinë e shprehjes, kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.

Neni 42 i Kushtetutës garanton lirinë dhe pluralizmin e mediave.

Pragrafi i dytë i këtij neni e ndalon censurimin e mediave.

Sipas këtij paragrafi askush nuk mund të pengojë shpërndarjen e informacionit ose të ideve nëpërmjet mediave, me përjashtim të rasteve kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare.

Ndërsa paragrafi i tretë i nenit 43  thotë se çdokush ka të drejtë të korrigjojë informacionin e pavërtetë, jo të plotë ose të pasaktë të publikuar, nëse cenon të drejtat ose interesat e saj/tij, në pajtim me ligjin.