AGK: Kryeministri të Kërkojë Falje Publike

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) përmes një proteste paqësore ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, që të kërkojë falje publike pas kërcënimit që pretendohet se ia ka bërë gazetarit të gazetës online “Insajderi”, Vehbi Kajtazi.

Vetëm në tremujorin e parë të vitit 2016, 3 gazetarë, përfshirë edhe kryetarin e AGK-së, janë kërcënuar për punën e tyre. Ndërsa në vitin 2015 janë raportuar 27 raste të kërcënimit ndaj gazetarëve nga persona të ndryshëm.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës kërkon nga kreu i Qeverisë, Isa Mustafa, që të kërkojë falje publike dhe të sqarojë pozicionin e tij në raport me akuzat e ngritura për kanosje ndaj kolegut Vehbi Kajtazi, të cilën gjë edhe pas dy dite kryeministri nuk e ka sqaruar. AGK kundërshton çfarëdo lloj presioni mbi gazetarët dhe kërkon nga organet e  sigurisë dhe të drejtësisë që të marrin masa për të gjykuar dhe për të hetuar me kohë të gjithë cenuesit e fjalës së lirë”, ka thënë kryetari i AGK-së, Zekirja Shabani.

Në gazetën online “Insajderi”, gazetari Vehbi Kajtazi ka publikuar shkrimin i cili lidhet me vëllain e kryeministrit Mustafa, në të cilin thuhet se ai ka kërkuar azil për shërim jashtë vendit.

Sipas gazetarit Kajtazi, kryeministri Mustafa i ka telefonuar atij, duke i thënë se do ta paguajë shtrenjtë publikimin e atij shkrimi, si dhe ka përdorur fjalët fyese duke e quajtur  “qen bir qeni”.

“Kryeministri Mustafa nuk e ka mohu dje që nuk me ka thirrë. Kryeministri Mustafa e ka mohuar dje kërcënimin dhe ka thënë se merrmani si zyrtare atë që kam thënë në ‘Facebook’. Unë ia kam dëshmuar kryeministrit, publikut dhe të gjithëve telefonatën sepse e kam të ruajtur”, ka thënë Vehbi Kajtazi, gazetari i gazetës online “Insajderi”.

Në lidhje me kërcënimet e gazetarëve, përvoja të tilla ka edhe Rrjeti i Gazetarisë Hulumtuese në Kosovë (BIRN). Sipas Muhamet Hajrullahut, kërcënimet vijnë kryesisht ndaj gazetarëve të cilët merren me biznese dhe me tenderët që jepen nga institucione të ndryshme të vendit, e që kanë parregullsi.

“Natyrisht që gjatë viteve tona të punës në organizatë dhe në produktet tona kemi  pasur kërcënime nga më të ndryshmet, kërcënime këto që kryesisht vijnë për temat të cilat ne raportojmë dhe hulumtojmë, e të cilat zakonisht janë për raportimin e parasë publike, mënyrën se si bëhet prokurimi, si jepen tenderët. Kryesisht ndodhë që kërcënimet vijnë përmes telefonatave, email-ëve. Ka edhe raste kur palët vijnë edhe në zyrë për të kërcënuar gazetarët që janë duke hulumtuar tema kur ata bëjnë pyetje për dhënien e tenderëve”, theksoi Muhamet Hajrullahu, redaktor në BIRN.

http://kallxo.com/kercenimi-i-gazetarit-nga-kryeministri-shkakton-vale-reagimesh/