Agim Bahtiri kërkon shkarkimin urgjent të Gjergj Dedajt
Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, AKR, Agim Bahtiri, ka kërkuar sot nga kryeministri Ramush Haradinaj që në mënyrë urgjente ta shkarkojë zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, Gjergj Dedajn, nga të gjitha pozitat në institucionet e Kosovës.
Sipas Bahtirit, Gjergj Dedaj me deklaratat dhe veprimet e tij të vazhdueshme gjatë muajve të fundit ka nxitur përçarje tek qytetarët e Republikës së Kosovës dhe pakënaqësi të shteteve mike, “duke i dëmtuar kështu rëndë raportet me disa miq tanë dhe imazhin e Republikës së Kosovës”.
Kjo është letra e plotë e kryetarit të Mitrovicës së Jugut:
“Në cilësinë e Zëvendës Presidentit të AKR-së, parti e cila gjithmonë ka nxitur marrëdhënie të shkëlqyera me partnerë dhe aleatë, e posaçërisht me ata të cilët gjithmonë e kanë mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejtë lirisë e pavarësisë dhe shtet-ndërtimit e zhvillimit ekonomik pas lufte përmes investimeve të shumta, si dhe kanë lobuar fuqishëm për njohjen e Republikës së Kosovës, nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht kryeministri Ramush Haradinaj, kërkoj që në mënyrë urgjente z. Gjergj Dedaj të shkarkohet nga të gjitha pozitat brenda institucioneve të Republikës së Kosovës.
- Gjergj Dedaj me deklaratat dhe veprimet e tij të vazhdueshme gjatë muajve të fundit ka nxitur përçarje tek qytetarët e Republikës së Kosovës dhe pakënaqësi të shteteve mike, duke i dëmtuar kështu rëndë raportet me disa miq tanë dhe imazhin e Republikës së Kosovës.
Andaj, duke mos dashur që heshtja ndaj deklaratave të papranueshme të z. Dedaj, të kuptohet si pajtim me atë që ai ka thënë, kërkoj nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj që ta shkarkoj z. Dedaj nga të gjitha funksionet në institucionet e Republikës së Kosovës urgjentisht, pasi që mendoj se ky veprim do të mirëpritej nga qytetarët e vendit, të pakënaqur me deklaratat e tij të fundit, por edhe nga shtetet mike që kanë bërë shumë për Kosovën.”