Dedaj në Hagë: Pati lojë me më konfliktu mua me Thaçin, George Washington’in e Kosovës’

Gjergj Dedaj, ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut gjatw dwshmisw sw tij nw Hagw deklaroi se shkarkimin e tij nga posti i zëvendësministrit të Transportit të asaj kohe e kishte realizuar dikush tjetër me qëllim që të krijohej një konflikt midis tij dhe Hashim Thaçit.

Dedaj vazhdon të japë deklaratat e tij para Dhomave të Specializuara në gjyqin ndaj ish-eprorëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Në seancën të mbajtur të mërkurën, ai theksoi se kishte marrë pretendime për t’u futur në konflikt.

“Unë jam ngarku nga Presidenti Thaçi, zëvendësministër i Transportit të asaj kohe, të premten, ka qenë ditë e premte dhe të shtunën ose të dielën pak ka rendësi, por pa shku në punë, se të hënën fillon puna, jam shkarku dhe në media ka dal se Hashim Thaçi një herë e ngarkoi të premten, pastaj të njëjtin person presidenti Hashim Thaçi e shkarkoi zëvendësministrin e Transportit Gjergj Dedajn dhe në këtë ministri filloi të luftohet korrupsioni” – citoi Dedaj.

“Unë jo që jam shoku, por nuk e di vlla çka është me mu, e kam ndonjë copë ADN të çeliktë se ka pas me m’lshu zemra, pa shku kurrë asnjë sekondë në atë ministri dhe unë kam thanë si është e mundshme presidenti Hashim Thaçi me m’ngarku te premten, me m’shkarku. Këtë e ka bërë dikush tjetër që mund ta them në një seancë private” – deklaroi Dedaj.

Dedaj e quajti Hashim Thaçin “George Wshington i Kosovës” dhe sqaroi se shkarkimin e tij e ka kryer dikush tjetër për të krijuar një konflikt.

“E ka bërë dikush tjetër me na shti në konflikt me Presidentin Thaçi, por unë gjithnjë kam menu deri e kam sqaru se e ka bërë presidenti Thaçi. Unë me kanë praktikues i Kanunit ose ka mujtë me m’vra ose me u vra me Hashim Thaçin’. Unë nuk jam, unë kurrë nuk jam, as ai as unë. Ne jemi njerëz, burrështetas jemi dhe i kam thënë okej, i kam dhënë 7 ditë afat në publik. E kam thënë në media presidentit Thaçi që atëherë ishte kryeministër, me m’thirr dhe me m’tregu arsyen se pse me ka ngarku dhe pse me ka shkarku brenda 24 orëve dhe nëse nuk me thirr atëherë ka me kanë keq. Keq se ka me ndjek rrugë ligjore. Gjithnjë kam mendu se me ka shkarku Hashim Thaçi dhe e kam pas një urrejtje ekstreme nëse kish ndodh kështu se ka mujtë me thanë s’ki me shku dhe okej. Pas 5-6 ditëve jam taku me z. Thaçi, siç i kanë thënë George Washington-in e Kosovës dhe ka thanë: Gjergj nuk të kam shkarku unë”-theksoi Dedaj.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.