Abelard Tahiri: Presioni ndaj institucioneve të drejtësisë i papranueshëm

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, me anë të një njoftimi ka ftuar bartësit e funksioneve publike dhe politike që të rezervohen plotësisht nga komentimi politik i punës së gjyqësorit dhe prokurorisë.

“Drejtësia është garancia e shenjtë e të gjithëve, se askush nuk është mbi ligjin dhe ligji nuk i shërben as institucioneve ndaras, as pushtetit ndaras, dhe as qytetarëve ndaras, por është neutral dhe i barabartë për të gjithë edhe atëherë kur jemi fajtorë edhe atëherë kur na çliron nga barra e fajësisë. Ky është parimi themelor që duhet të na udhëheq të gjithëve drejt konsolidimit të drejtësisë në të cilën besojmë pa asnjë hezitim”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Deklarata erdhi pas disa komenteve dhe reagimeve që ndërlidhen me punën e organeve të zbatimit të ligjit.

“Ministri Tahiri rikujton se drejtësia është neutrale dhe e barabartë për të gjithë dhe se ajo ka standarde të mirëfillta veprimi, të cilat nuk mund të jenë pjesë e diskursit politik”, thuhet tutje në njoftim.

Tahiri ka thënë edhe se e vendos ligji se kush është i fajshëm e kush i pafajshëm.

“Pa marrë parasysh se kush është subjekti apo pala në procedurë, janë organet e pavarura të zbatimit të ligjit ato që vendosin se kush ka rënë ndesh me ligjin e kush është i pafajshëm. Çdo presion ndaj institucioneve të drejtësisë, nga kushdo çoftë, është i papranueshëm”, thuhet në njoftim.

Dy deputetë nga partitë e koalicionit qeveritar, Shkumbin Demaliaj (AAK) dhe Milaim Zeka (NISMA), janë në paraburgim për shkak të deklaratave kërcënuese ndaj prokurorëve të bëra ditëve të fundit.