Gjykata Themelore në Pejë - Foto: KALLXO.com

6 mijë euro dorëzani për të dyshuarit për narkotikë

Gjykata Themelore në Pejë u ka caktuar nga 3,000 euro dorëzani Besim Berishës dhe Musa Kerellajt, të dyshuarve për veprën blerja, posedimi, shitja, shpërndarja e paautorizuar e substancave narkotike.

Masa u caktua pas propozimit te prokurores Sahide Gashi.

Lidhur me kërkesën e propozuar te prokurores së shtetit për masën e dorëzanisë, mbrojtësi i të akuzuarit Besim Berisha, avokati Gani Kelmendi tha se pajtohet me masën.

“Pajtohem me caktimin e masës së dorëzanisë në shumë prej 3,000 euro dhe i propozoj Gjykatës që të njëjtën ta aprovojë dhe të mbrojturit t’ia kthejë pasaportën”, tha avokati Kelmendi.

Edhe mbrojtësja e të akuzuarit Musa Kerellaj, avokatja Aurora Mulhaxha, u pajtua me masën e dorëzanisë.

“Pas konsultimit me te mbrojturin tim dhe familjarët e tij kërkesa për caktimin e masës së dorëzanisë është e pranueshme dhe si e tillë propozoj që të aprovohet nga Gjykata”, tha avokatja.

Te pandehurit dyshohet se pa autorizim kanë poseduar narkotikë.

Gjatë një operacioni policor në Pejë atyre u ishte gjetur e konfiskuar një sasi prej 0.5 gram që dyshohet të jetë e llojit kokainë dhe një sasi tjetër prej 9.1 gram në 2 qese, e cila dyshohet të jetë e llojit marihuanë.