Vendi i ngjarjes ku u vra nëna nga djali i saj, Foto: KALLXO.com

Të dyshuarit për vrasjen e nënës në Pejë i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

Në orët e mbrëmjes së 14 prillit, Policia në Pejë ishte njoftuar për një akt makabër që kishte ndodhur në këtë qytet. Djali dyshohej se kishte vrarë nënën e tij.

Personi i dyshuar, Urim Hyseni, dyshohet se me thikë kishte vrarë nënën e tij, trupin e kokën ia kishte ndarë në dy vende të ndryshme të shtëpisë.

Gjykata e Pejës ka vendosur t’ia vazhdojë masën e paraburgimit edhe për dy muaj.

“Të pandehurit U.H. i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë” – ka thënë Tringa Zhuti, zëdhënëse e kësaj Gjykate.

Një ngjarje e tillë makabre sipas Prokurorisë së Pejë nuk kishte ndodhur asnjëherë.

Dosja hetimore tregon se kishte qenë gruaja e axhës së Urim Hysenit që kishte shkuar në vendin e ngjarjes e para ndërsa më pas edhe babai e halla.

Këta dy të fundit madje Urim Hyseni dyshohet se i kishte sulmuar me thikë.

Urim Hyseni ishte arrestuar nga organet e rendit ndërsa për shkak të gjendjes së tij psikologjike ai nuk ishte intervistuar atë natë për ngjarjen.

Eksperti psikiatrik Nysret Pepaj, i cili kishte biseduar me të dyshuarin, ka thënë para gjyqtarit të procedurës paraprake se i dyshuari kishte deklaruar se “ndodhin këto raste, kanë ndodhur edhe më përpara dhe nuk kemi çka të bëjmë tash”.

Me këto veprime të të dyshuarit, eksperti Pepaj kishte konstatuar se ai ka çrregullim psikotik.

Avokati i të dyshuarit, i cili është caktuar në bazë të detyrës zyrtare, Asdren Mekaj, kishte thënë në seancë se deri në vlerësimin psikiatrik të klientit të tij ka theksuar se pajtohet që klienti i tij të mbahet në kushte të izolimit pranë Institutit të Forenzikës Psikiatrike jo vetëm për ekzaminim por edhe për shkak të sigurisë së tij dhe sigurisë së personave të tjerë që mund të jenë në afërsi të tij.

Ka qenë prokurorja Sahide Gashi e cila ka përmendur faktin se ka paralajmëruar që ndër veprimet e para hetimore do të jetë kërkesa për ekzaminim psikiatrik të të pandehurit.