Polici i vrarë në Istog, Izet Demaj. Foto: Kallxo.com

5 vite burg për kushëririn e vrasësit të policit Izet Demaj

Ujkan Metaj, i afërmi i Kamer Metajt i cili u vra gjatë grabitjes së bankës NLB në Istog, ku mbeti i vrarë polici Izet Demaj është dënuar sot me pesë vite burgim nga Gjykata Themelore e Pejës.

I akuzuari Metaj, kushëriri i tani të ndjerit Kamer Metaj, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 14 mars në Gjykatën Themelore në Pejë, e kishte pranuar fajësinë.

Me aktgjykimin e shpallur, Gjykata ka marr vendim për konfiskimin e automjetit “Golf 4”, pronë të ndjerit Kamer Metaj, një pushkë automatike “AK 47”, një granat dore “M-75” dhe një revole e tipit “Çeska”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Lumturije Muhaxhiri, të akuzuarit Ujkan Metaj do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Në këtë rast për ndihmë në kryerjen e kësaj grabitje, ka qenë i akuzuar edhe vëllai i të vrarit Kamer Metaj, Ylber Metaj, mirëpo ndaj tij hetimet kanë pushuar.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 15 shkurt 2019, Ujkan Metaj akuzohej se me 27 dhjetor 2018, rreth orës 14:30, në Istog, në “NLB Bank”, e kishte ndihmuar të dyshuarin Kamer Metaj në kryerjen e veprës penale të vjedhjes grabtiqare.

Sipas aktakuzës, Ujkan Metaj, akuzohej se me veturën e tani të ndjerit Kamer Metaj, e dërgon te rruga “Kadri Keqa” – Istog, dhe pasi i dyshuari Kamer Metaj del nga vetura i armatosur për të kryer grabitjen, i akuzuari Ujkan Metaj kthehet në fshatin Shushicë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari kishte ndihmuar Kamer Metajn, dhe i njëjti më pas kishte hyrë në bankën “NLB” dhe nën kërcënimin e armës kishte grabitur shumën prej 3636 euro.

Sipas dosjes së Prokurorisë, derisa polici Izet Demaj e urdhëron të ndalojë Kamer Metajn, ai ka shtënë në drejtim të tij duke i shkaktuar policit Demaj plagë vdekjeprurëse. Gjatë shkëmbimit me armë të zjarrit Policia e kishte goditur për vdekje Kamer Metajn.

Palët e dëmtuara janë udhëzuar në kontest civil, ndërsa të pandehurit i është vazhduar masa e paraburgimit.