Foto: Ilustrim

4 të Arrestuar për Trafikim me Qenie Njerëzore

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore në Mitrovicë, ka arrestuar sot katër persona nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale trafikim me njerëz, shërbime seksuale të trafikimit, keqpërdorim seksual nën moshën 16-vjeçare si dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës.

Personat e arrestuar janë: Y.Q. (i lindur më 1993), E.E. (1992), A.Xh. (1989) dhe A.G. (1986).

Policia njofton se lidhur me këtë rast janë zhvilluar kontrolle në lokacione të caktuara dhe se në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar 12 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Po ashtu, me këtë rast janë identifikuar edhe dy viktima të trafikimit, të cilave u është ofruar ndihma sipas procedurave standarde vepruese për kujdesin ndaj viktimave të trafikimit.

Me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës katër të arrestuarit ndalohen për 48 orë.